Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se tashmë që Belinda Ballukut iu shtua dhe akuza e korrupsionit, Prokuroria e Posaçme duhet t'i drejtohet sërish Kuvendit me kërkesën për autorizim për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres së vendit.
Me foton e printuar të vilës që iu sekuestrua sot Ballukut, Bardhi tha se më 12 mars mazhoranca socialiste nuk votoi për ish-ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, por për vilat e saj.
“Sot jemi dëshmitarë se Edi Ramës i është shtuar një hall i ri. Për muaj të tërë ai i gënjeu shqiptarët se Belinda Balluku nuk ka bërë korrupsion, se nuk ka pasuri të fshehura. Në fakt, në thelb nuk i gënjeu shqiptarët, sepse e vërteta vonon, por gjithmonë del në dritë. Dhe sot çdo shqiptar e ka para syve akuzën për korrupsion ndaj Belinda Ballukut.
Në fakt, ju gënjeu ju, të nderuar deputetë të mazhorancës, për të mbrojtur korrupsionin dhe një nga këto vila që janë këtu. Për këtë arsye votuat më 12 mars kundër kërkesës së SPAK-ut. Jo për të mbrojtur Ballukun, por një nga këto vila këtu",- tha Bardhi.
Lajmi kryesor:
Ballukut i shtohet akuza e korrupsionit dhe pastrimit të parave! SPAK i sekuestron vilën në Dhërmi: E mori si ryshfet për tenderët 1 mln € kur drejtonte Albcontrol! E fshehu në emër të Igli Tares









