Një balonë kineze e vëzhgimit që SHBA-ja e rrëzoi këtë javë ishte në gjendje të mblidhte sinjale komunikimi, ka thënë një zyrtar amerikan. Ajo ishte e pajisur me antena të shumta të afta për të mbledhur informacion të klasifikuar, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit në një konferencë përmbledhëse.
Të enjten, ligjvënësit amerikanë miratuan një rezolutë jodetyruese që dënon Kinën për balonën. Kina ka mohuar se balona është përdorur për qëllime spiunazhi. Sipas tyre, ka qenë një pajisje moti e humbur.
SHBA, megjithatë, beson se balona është pjesë e një flote më të gjerë balonash vëzhgimi që janë shtrirë në pesë kontinente.
Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve e quajtën balonën një "shkelje të pacipë të sovranitetit të Shteteve të Bashkuara" pasi organi votoi 419 vota pro dhe 0 kundër, të enjten në mëngjes për të dënuar përdorimin e saj.
Shfaqja e saj në hapësirën ajrore të SHBA-së ka provokuar një krizë diplomatike dhe ka bërë që Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të anulojë një udhëtim në Kinë, takimi i parë i nivelit të lartë SHBA-Kinë ndër vite. Ushtria amerikane përdori një avion luftarak për të gjuajtur balonën mbi Oqeanin Atlantik gjatë fundjavës.
Kina tha të enjten se nuk ishte në dijeni të ndonjë flote më të gjerë balonash vëzhgimi. Sipas tyre ky pretendim është pjesë e luftës së informacionit dhe opinionit publik që SHBA ka bërë ndaj Kinës, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning.
Kina gjithashtu sulmoi presidentin amerikan Joe Biden pasi ai tha gjatë një interviste për PBS se udhëheqësi kinez Xi Jinping po përballej me probleme të mëdha.
“Këto komente ishin shumë të papërgjegjshme dhe shkelnin protokollet bazë diplomatike", tha zonja Ning.
SHBA po shqyrton marrjen e masave kundër grupeve të lidhura me qeverinë kineze që ishin të përfshirë në kontrollimin e balonës.