TIRANE- Një shumë financiare prej 20 mijë euro, e dhënë në formën e parapagesës për eleminimin fizik të një biznesmeni në Vlorë me inicialet J.M, ka shërbyer në fakt për montimin dhe më pas vendosjen e tritolit në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi.

Vrasja për të cilën Julian Sinanaj kishte marrë 20 mijë euro, fatmirësisht nuk është kryer, për shkak se Sinanaj nuk ka qenë në gjendje ta realizonte vrasjen e biznesmenit. Në këto kushte, lekët sërisht nuk janë kthyer mbrapsht por duke shfrytëzuar këtë paradhënie, Marion Mitro, i ka kërkuar Sinanaj të përgatiste një sasi eksplozivi me dy aparate telefonikë, pasi i duheshin për të larë disa hesape me një nga zyrtarët e Vlorës.

Pikërisht sipas burimeve të prokurorisë kjo kohë përkon me periudhën kur Mitros, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Vendor Vlorë dhe Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, i kishin prishur parkingun e lokalit në Vlorë, që quhet “Wallstreet” dhe që ndodhet në zonën e ujit të ftohtë. Gjatë kësaj kohe, Mitro ka menduar se këtë të keqe, e kishte nga prefekti i Vlorës Besnik Dervishi, i cili disa ditë para vendosjes së tritolit kishte folur shumë ashpër për ndërtimet pa leje që ishin ngritur buzë bregut të detit Jon.

PER 20 MINUTA
Julian Sinanaj, në dëshminë e tij ka treguar se Marion Mitro, i ka kërkuar përgatitjen e një eksplozivi C4 dhe se ai brenda 20 apo 30 minutave ja ka bërë një gjë të tillë, kundrejt shumës 20 mijë euro. Më pas Mitro është kujdesur vetë për montimin e saj poshtë makinës së prefektit të Vlorës, që fatmirësisht nuk ka shpërthyer, por është zbuluar nga një efektiv i Gardës së Republikës në oborrin e kryeministrisë.

Sasia e eksplozivit i është vënë në mesnatë, ndërkohë që për këtë gjë është kujdesur vetë Marion Mitro. Nuk dihen arsyet se pse lënda eksplozive nuk ka shpërthyer, kjo për shkak se dhe Mitro gjatë seancës së pyetjeve nuk ka pranuar të japë shpjegime. Dyshimet flasin se Mitro ka dashur të aktivizojë tritolin pikërisht në momentin, kur makina tip “Peuget” ka hyrë në oborrin e kryeministrisë, por plani i tij për të terrorizuar kryeqytetin dhe kryeministrin Rama, kanë dështuar. Gjatë deklarimeve të tij, Mitro ka pohuar se do udhëtonte në Greqi, për të marrë pasaportën e vajzës së tyre.

REAGIMI I BASHKESHORTES
Miranda Mitro, bashkëshorja Marion Mitros është pyetur nga oficerët e policisë së Vlorës, për të cilët ka treguar se burri i saj, nuk ka asnjë lidhje me aktet terroriste. Sipas saj të gjitha që janë deklaruar nga dy personat e penduar janë trillimi të policisë dhe prokurorisë. Mitro, ka shtuar se bashkëshorti i saj do largohej në Greqi për të marrë pasaportën e vajzës, dhe se nëse do ishte pjesëmarës në akte terroriste, nuk do largohej nga Rinasi, por mund të ikte dhe nga kufiri, duke ju fshehur policisë.

MITRO, PUNONTE INSPEKTOR NË BASHKINË VLORË
Gazeta “Shqiptarja.com”, zbuloi dy ditë më parë se Marion Mitro, ka qenë njëri nga vartësit e kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Vetëm disa 6 muaj më parë Mitro ishte shkarkuar nga detyra e inspektorit të INUV në Vlorë. Këtë detyrë Mitro e ka mbajtur për disa vite me radhë, ku ka shërbyer në krah të kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika. Mitro momentalisht akuzohet për veprën penale të “Akteve terroriste”, kryer në bashkëpunim.

DERVISHI: ME SULMOI KRIMI I ORGANIZUAR
Një ditë pas arrestimit të Marion Mitros, i cili dyshohet se është porositësi i atentatit, të mbetur në tentativë ndaj tij, prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi, deklaron se ngjarjen e konsideron si krim të organizuar, dhe jo thjesht një krim rrruge. “Do të jem pjesë e pandarë si përfaqësues i shtetit në Vlorë për të luftuar krimin e organizuar dhe informalitetin. Mua emrat e të arrestuarve deri më tani nuk më thonë asgjë. Nuk i njoh as rastësisht. Falenderoj punën e Policisë së Shtetit. Unë kam bërë vlerësimet e mia, ju kërkoj juve si media që të investigoni. Nuk e konsideroj një krim rrugësh, por të organizuar”, është shprehur Dervishi.

Shkrimi u publikua sot (31.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)