Shkodër - Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Shkodrës, ku një banesë është përfshirë nga flakët, duke u shkrumbuar plotësisht. Si pasojë e zjarrit, një familje me 8 anëtarë ka mbetur pa strehë, në qiell të hapur.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se zjarri ka shpërthyer si rezultat i një defekti në sistemin elektrik. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Kryefamiljari Lulzim Sefja ka bërë thirrje publike për ndihmë, duke kërkuar mbështetje për të rindërtuar shtëpinë dhe për t’u rikthyer në kushte normale jetese.

 “Nuk e di me saktësi, por ndoshta korrenti, sepse telat kanë qenë të zhveshur dhe lagështira shumë e madhe. Jemi tetë pjesëtar, 6 fëmijë dhe burrë e grua. Tani jam në rrugë të madhe, s’kam gjë tjetër. Unë punoj hamall. Nuk di ça të them, të na vijë ndihmë nga shteti apo dikush tjetër. Nuk kam çfarë të bëj. Të tan kemi shpëtu”, ka thënë ai mes lotësh.

Autoritetet lokale dhe shërbimi zjarrfikës ndërhynë në vendngjarje për shuarjen e flakëve, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.