Pesë vajza janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion në apartamente të marra me qira ditorë në rrugët "Qemal Stafa", “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”.
Në pranga kanë rënë tre vietnameze dhe dy kineze, teksa u kanë sekuestruar dhe 5 celularë me të cilët kryheshin postime në rrejte sociale rreth kësaj veprimtarie.
Gjithashtu është shpallur në kërkim një 35-vjeçar, i cili dyshohet se siguronte kundrejt përfitimit kushtet për ushtrimin e kësaj veprimtarie nga tre shtetaset vietnameze të arrestuara.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/ Finalizohet operacioni i koduar “Last meeting”, kundër ushtrimit të prostitucionit, në banesa me qira ditore, veprimtari e cila reklamohet edhe në rrjete sociale.
Arrestohen 5 shtetase të huaja (3 vietnameze dhe 2 kineze) që ushtronin këtë veprimtari në 3 apartamente në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”.
Shpallet në kërkim një shtetas vietnamez që shfrytëzonte 3 prej shtetasve të arrestuara, me të njëjtën shtetësi.
Vihen në hetim 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari.
Sekuestrohen 5 celularë me të cilët kryheshin postime rreth kësaj veprimtarie.
Si rezultat i punës operative dhe monitorimit në hapësirën digjitale, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të reklamimit në rrjete sociale, të prostitucionit që ushtrohet nga shtetase të huaja, në banesa të marra me qira ditore, në kryeqytet, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Last meeting”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetaset që ushtronin këtë veprimtari në 3 apartamente, V. P., 40 vjeçe, P. K., 42 vjeçe dhe P. M., 33 vjeçe, të trija vietnameze, si dhe L. Y., 42 vjeçe dhe X. H., 42 vjeçe, të dyja kineze.
Më tej, u shpall në kërkim shtetasi vietnamez, T. T., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka siguruar kundrejt përfitimeve, kushtet për kryerjen e kësaj veprimtarie nga 3 shtetaset vietnameze të arrestuara. Punohet intensivisht për kapjen e këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento