Qeveria ka gati strategjinë e re për strehimin. Kjo strategji parashikon që apartamentet të cilat janë bosh të blihen nga shteti dhe më pas t’ju jepet shtresave në nevojë dhe atyre që nuk kanë një banesë.

Aida Seseri Drejtoresha e Strehimit në Ministrinë e Zhvillimit Urban thotë se janë disa programe të reja strehimi që do shtohen me këtë strategji.

"Ne sapo kemi mbaruar strategjinë për ligjin e ri të strehimit social. Do të krijojë fondin e banesave sociale, çdo Bashki do të ketë fondin social të banesave, pronarin social ku u japim mundësi shoqërive të ndërtimit që banesat e tyre të pashitura apo godinat të hynë në marrëdhënie me Bashkitë apo për ti dhënë me qera, rikonstruksioni i godinave të vjetra për ti kthyer ato në fonde banesash. Ligji i sterihimit do të mbarojë brenda këtij viti që jemi", shprehet Seseri

 Ndërkohë pavarësisht se prej 3 vitesh qeveria ka ndaluar dhënien e kredive të buta, parashikohet që ky program të rihapet sërish.

Të gjithë ata që kanë aplikuar nëpër Bashki, por edhe ata që do aplikojnë do të kenë mundësi të marrin kredi të butë për blerjen e një banese me interes prej 3%.

Drejtoresha e strehimit thotë se ky program u bllokua për shkak të abuzimit me fondet nga ana e Bashkive, por ajo thekson se do të rihapet sërish.

 "Ai nuk është se është mbyllur por për momentin është zëvendësuar që tu jepet mundësi me këto para të ndihmohen njerëzit më në nevojë por ne shpresojmë  që sapo të kemi mundësi që shtresën e varfër nëpërmjet fondit të banesave, nëpërmjet programeve të reja të kemi mundësi ti sistemojmë. Besojmë ti rikthehemi sërish kredive të buta. Ministria e Zhvillimit Urban  do ti financojë gjatë gjithë  kohës për 20 vjet  që ato kanë lidhur kontratën  dhe paguajnë 3% e diferencën e paguan ministria",shprehet Drejtoresha e strehimit Aida Seseri.

Në këto vite Ministria e Zhvillimit Urban ka siguruar mundësi strehimi për qindra qytetarë, duke filluar nga bonos i strehimit deri te banesat sociale.

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)