Inflacioni do të jetë mbi objektivin prej 3% për një periudhë kohore afatshkurtër, ndërsa shtrenjtimi më i lartë në gjysmën e parë të vitit është regjistruar tek transporti, ushqimet dhe qiratë e apartamenteve. Në konferencë guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se pavarësisht ecurisë pozitive, ekonomia do të rritet më ngadalë në 2 vitet në vijim.

“Të dhënat indirekte të tremujorit të dytë sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike ka qëndruar në nivele solide, ndonëse disi më të ulëta se ato të tremujorit paraardhës. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë dy viteve të ardhshme, duke krijuar premisa për një balancim më të mirë të kërkesës me ofertën agregate”, tha Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit prej 2.5%, pavarësisht se “tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare”.

Përtej situatës ekonomike, Sejko njofton se në nëntor do të jetë gati sistemi online i pagesave të shpejta brenda vendit, që është i ngjashëm me atë të BE-së.

“Ne parashikojmë që në fund të nëntorit të jemi online me sistemin TIPS që është i ngjashëm me sistemin evropian të pagesave. Është sistem pagesash të shpejta, i avancuar. Sikur vetëm gjysma e pagesave të bëhen përmes këtij sistemi individët do të kursejnë gjysmë miliardë lekë dhe bizneset 1 miliardë lekë”, tha Sejko.

Në tetorin e vitit të kaluar vendi u bë pjesë e SEPA, duke bërë të mundur uljen e ndjeshme të komisioneve për transfertat hyrëse dhe dalëse, që sipas Bankës së Shqipërisë vetëm në vitin e parë iu kursyen qytetarëve dhe bizneseve 70 milionë euro.