TIRANË, 17 Shkurt /ATSH-E.Xhajanka/- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të diskutojë javën që vjen në mbledhjen e radhës, raportin vjetor të Bankës Qendrore për vitin 2014. Publikimi i përvitshëm i Bankës së Shqipërisë përshkruan gjendjen ekonomiko-financiare të vendit si dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë gjatë një viti.
Ky raport shoqërohet me fjalën e Guvernatorit të ri të Bankës Qendrore Gent Sejko, që u miratua nga Kuvendi pas rreth 6 muajsh nga shkarkimi i ish-guvernatorit Ardian Fullani, pas skandalit të vjedhjes në institucionin qendror financiar në vend. Sejko do të paraqesë opinionin mbi zhvillimet ekonomiko-monetare më të spikatura si dhe rekomandimet mbi politikat në vijim.
Raporti vjetor përmban kapituj, të cilët trajtojnë zhvillimet në ekonominë botërore dhe impaktet e saj mbi ekonominë vendase, aktivitetin ekonomik, zhvillimet monetare, mbikëqyrjen bankare, veprimtaritë e tjera të Bankës së Shqipërisë në përmbushje të rolit të saj si dhe pasqyrat financiare./m.m/