Banka e Shqipërisë ka rishikuar interesat maksimale për kreditë konsumatore. Sipas të dhënave zyrtare interesin për kreditë konsumatore deri në 200 mijë lekë dhe ato nga 600 mijë lekë deri 2 milionë lekë do të jetë më i ulët se në gjashtëmujoren e parë të vitit, ndërsa janë rritur interesat për vlerat e tjera.
***
Qytetarët që do t’i drejtohen institucioneve bankare dhe jo bankare për të marrë kredi konsumatore me vlerë deri 200 mijë lekë, do të paguajnë më pak interes, pasi Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë tavanin për interesat maksimale që do të aplikohen për këto hua.
Konkretisht për kredinë nga 0-200 mijë lekë, interesi maksimal ku përfshihen të gjitha kostot për një kredimarrës (komisione, interesa etj), do të jetë afro 51.3%, nga 54.8% që ishte.
Gjithashtu është rishikuar në ulje edhe interesi që do të aplikohet nga subjektet jo-banka ndaj qytetarëve që do të marrin kredi në shumat nga mbi 600 mijë lekë deri në 2 milionë lekë, pasi interesi maksimal do të jenë 14.4 nga 14.7%.
Ndërsa për huatë nga 200 deri në 600 mijë lekë është rritur nga 35.4% që ishte, prej 19 korrik është rritur në 37.4%. Kurse ata që marrin kredi konsumatorë mbi 2 milionë lekë deri 10 milionë do e kenë interesin maksimal 12.4% nga 11.94% që ishte për gjashtëmujorin e parë të vitit. Këto interesa do të jenë në fuqi deri në fund të 2026-ës, dhe në janar të vitit të ardhshëm rishikohen përsëri.
Prej 5 vitesh Banka e Shqipërisë cakton çdo gjashtëmujor normën maksimale të interesit, pas abuzimeve që këto institucione jo-bankare bënin me interesat e kredive konsumatore që merrnin qytetarët, për shkak se e japin më shpejt huanë dhe nuk kërkojnë kolateral.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë në 2022-shin kur nisi zbatimi i rregullores, norma maksimale e interesit për kreditë deri 200 mijë lekë arrinte në 171.41%.
Komente








