TIRANË, 18 Shkurt /ATSH/- Bankat tregtare në vend po rrisin shërbimet në drejtim të sektorëve të agrobiznesit. Qëllimi është mbështetja dhe zhvillimi i kësaj dege të ekonomisë duke iu gjendur sa më pranë fermerit shqiptar.
Për të zgjeruar gamën e shërbimeve financare, bankat po ofrojnë produkte të shumta për degë të veçanta të sektorit bujqësor, duke filluar që nga fermeri i thjeshtë e deri te fabrikat e përpunimit të produkteve.
Sektori bujqësor është vënë në prioritet të kreditimit nga bankat, të cilat po shohin të arsyeshme mbulimin e të gjithë territorit të vendit me degë të bankave të tyre që ofrojnë produkte të ndryshme financiare për fermerët. Përfaqësues të bankave bëjnë të ditur se, krahas kredisë më norma tepër favorizuese, për këtë sektor bankat ofrojnë për klientët edhe konsulencë financiare dhe zhvillimore në fushën e agrobiznesit.
Kredia për Agrobizneset financohet deri në 3.000.000 lekë me këste fleksibël sipas ciklit të prodhimit. Nuk aplikohen penalitete në rastet kur ka shlyerje të parakohshme të kredive me maturitet deri në 24 muaj dhe kur klienti ka paguar jo më pak se 6 këste. Bankat zbatojnë ulje të normave të interesit në masën 2 - 6 % për klientët me histori kreditimi pozitive. e,xh//m.m/