Shembjet e shtëpisë së tyre në zonë  e 5 Majit për shkak të rindërtimit dhe ato të Laprakës pasi preken nga projekti i Unazës së Madhe kanë protesta para Bashkisë Tiranë. Banorët të cilëve u janë shembur shtëpitë kërkojnë që të bisedojnë me kreun e bashkisë Tiranë Erion Veliaj për gjetjen e një zgjidhje.  Ata thonë se nuk kanë firmosur kontratë me bashkinë për shembjen e banesave të tyre pasi e cilësojnë atë të njëanshme dhe nuk kanë asnjë përfitim krahasuar me shtëpinë dhe pronën që kanë humbur, ndërsa një pjesë tjetër thonë se nuk marrin as bonusin e qirasë.

Banorët shprehen se duan një marrëveshje korrekte, që është e firmosur nga të dyja palët. Gjatë deklaratave të tyre ata madje kërcënojnë se nuk do të lejojnë ndërtuesin të zhvillojë punime mbi pronën e tyre.

Në kuadër të projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit urban në zonën e ‘5 Majit’, Laprakës, Kodrës së Priftit dhe Paskuqanit qindra banesa janë projektuar për t’u shembur nga IMT. Një pjesë e banorëve në zonën e '5 Majit' nuk kanë pranuar kontratat e propozuara nga bashkia, ku thuhet se do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re me të njëjtat metra katror. Sipas tyre ajo është e njëanshme dhe nuk ka vlerë ligjore. Për këtë projekt pritet të shemben në total një numër prej rreth 1 mijë banesash.

Nga ana tjetër një banore e 5 Majit, Loreta Nikolli ka akuzuar  kreun e IKMT-së se e ka kërcënuar përmes mesazheve për heqje nga puna për familjarët e saj.