Për të disatën herë banorët e Bërxullës janë ngritur në protestë ku kundërshtojnë devijimin e rrugës Thumanë-Kashar, duke argumentuar se shteti më parë duhet të bëjë kompensimin e tokave dhe pronave të tyre në vlerën e tregut. Banorët shprehen të vendosur se nuk do të lejojnë që projekti të vazhdojë nëse shteti nuk u plotëson tre kushtet e tyre, certifikimin e pronave që kanë, kompensimin me vlerën e tregut dhe informacion mbi projektin e miratuar për t'u zhvilluar.
“Kjo rrugë kështu siç e kanë menduar ata nuk do ndërtohet pa kushtet tona të panegociueshme. Jemi kaq të vendosur sa edhe jetën tonë nuk e llogarisim më. Nëse do na zhdukin të gjithë si fshat, atëherë shteti të na hedhë bombën e Hiroshimës. Po agravon gjendja, jetojmë me strese dhe me frikë, na është sosur durimi”- u shpreh njëri prej banorëve.
Mes të tjerash, një prej banorëve tha nëse shteti do t’i kompensonte ata me vlerën e tregut për pronën e tyre, atëherë nuk do të kishte asnjë lloj revolte dhe asnjë përplasje me policinë.
“Ose në të kundërtën na sistemoni ku të jetë mundësia, ka toka në shtet plot. Ndajini banorëve të fshatit Bërxullë dhe nuk na dëgjohet zëri, nuk do ketë asnjë lloj përplasje. Punimet e koncesionarit kanë vazhduar me ritme të larta sepse është kap çfarë të kapësh. Vetëm aty ku kemi ngritur zërin, kanë ndaluar sepse nuk kanë asnjë lloj leje ndërtimi”-u shpreh një tjetër banor.
Kujtojmë se banorët e Bërxullës janë ngritur disa herë në protestë. Më herët ato thanë se nuk janë kundër projektit, por problematika sipas tyre është te vlera e tokës dhe banesës. Sipas banorëve, rrezikohen 20 banesa nga projekti dhe qeveria nuk ka një vendim për zhvendosjen e tyre.