TIRANE - Protesta e banorëve të zonës së ish- fushës së aviacionit ka detyruar firmën që tentoi të ngrejë një park lojërash në parkun e kësaj zone që të tërhiqet. Përfaqësues të saj deklaruan se kanë një leje për të vendosur lodrat në këtë zonë, por nuk ua paraqitën asnjëherë atë banorëve.

Ka qenë kreu i bashkisë së Tiranës që ka konfirmuar se këndi i lojërave private në parkun tek ish fusha e aviacionit në njësinë numër 7 në Tiranë, nuk kishte leje dhe nuk do të ndërtohej, ndërsa banorët e zonës, deputetë të PS e këshilltarët e majtë në bashki janë mbledhur pasditen e sotme për t’i kërkuar Bashës që ta rehabilitojë këtë park dhe t’i kthejë atij gjendjen e mëparshme.

Me këtë shqetësim të banorëve janë bashkuar edhe deputetët e Partisë Socialiste, Saimir Tahiri dhe Vasilika Hysi.

“Sot përfitoj nga rasti të falënderoj të gjithë banorët e këtij blloku, të moshuar, të rinj dhe fëmijë, të cilët rezistuan ndaj kësaj padrejtësie që po i bëhej këtij parku. Sot ju dëgjuat se kryebashkiaku pohoi se kjo qendër nuk ka pasur leje dhe se nuk do lejohet ndërtimi. Por është fal këtyre qytetarëve që rezistuan për ditë të tëra, madje mblodhën firma dhe bën peticion për të mos lejuar të bëhej ky investim që shkatërronte pronën publike, taksat e këtyre qytetarëve. Sot kryebashkiaku Basha u tërhoq, por ne i kërkojmë atij që me këtë tërheqje urgjentisht të vërë kompaninë ose punonjësit e tij ta pastrojnë, të mbjellë pemët e prera dhe barin, të sistemojë gjithë sistemin vaditës dhe ndriçimin që në këtë zonë është shkatërruar totalisht. Gjithashtu, qytetarët këtu janë dëshmitarë që këtu janë shkatërruar edhe shatrivan dhe kënde të tjera sportive, menjëherë të kthej vëmendjen dhe këto taksa të qytetarëve të Tiranës ti respektoj, madje këtë shesh ta kthejë në gjendjen e tij të mëparshme”, - deklaroi deputetja Hysi.

Banorët e kësaj zone protestuan për ditë me radhë duke bërë të qartë se nuk do të lejonin vendosjen e këndit të lojërave, që do të cënonte hapësirën e gjelbërt.

(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)