SARANDË- Ilirian Xhani, 57-vjeç nuk ka mundur t’i mbijetojë dot plagëve të marra nga djegia e rëndë që kishte prekur pothuajse 70 % të trupit pasi baraka në të cilën po qëndronte u përfshi nga flakët.
57-vjeçari ishte me origjinë nga Përmeti, por banor i Berdeneshit. Pas ndihmës së parë në urgjencën e Sarandës për shkak të djegies së rëndë 57-vjeçari u dërgua me ambulancë për në spitalin e traumës në Tiranë. Por nuk ka mundur dot të arrijë në Tiranë, pasi humbi jetën gjatë rrugës.
Mësohet se ambulanca u kthye nga rruga, ndërkohë që trupi i tij është dërguar përsëri në Tiranë për të bërë ekspertizën mjeko - ligjore, sipas kërkesës hetimore të nisur nga vendngjarja me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës rreth orës 22:15, në vendin e quajtur “Ish-ushqimorja”, në Çukë të Sarandës, në një magazinë elektro-shtëpiakesh, në kabinën e vendrojës, ku qëndronte Ilirian Xhani. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.