Gjermania është ndalur në një barazim 1-1 në ndeshjen e fundit në grupin e Ligës së Kombeve të luajtur kundër Hungarisë. Në Budapest të besuarit e Nagelsman i shkuan shumë pranë fitores, pasi në minutën e 76 Nmecha zhbllokoi shifrat, duke dhënë përshtypjen e një 3 pikëshi të rradhës.
Mirëpo në minutat shtesë, kur po pritej vërshëllima e arbitrit, hungarezët fituan një penallti që u ekzekutua siç duhet nga Szoboslai. Pavarësisht pikës së fituar Hungaria e mbylli në vendin e 3 në grupin e saj në Ligën A dhe duhet të bëjë ‘play-off’ për të qëndruar edhe edicionin e ardhshëm.
Në të njëjtin grup edhe Holanda barazoi 1-1 me Bosnjë-Hercegovinën edhe pse ‘tulipanët’ kaluan në avantazh që në minutën e 24 me Brobbey. Vendasit pas këtij episodi u përpoqën shumë dhe në pjesën e dytë vulosën rezultatin përfundimtar me Demirovic. Gjithsesi Bosnja e mbylli e fundit me 2 pikë dhe kompeticionin e ardhshëm do luajë në Ligën B, ndërsa Holanda u rendit e dyta me 9 pikë, 5 më pak se Gjermania e vendit të parë. të dy këto kombëtare janë kualifikuar për në çerekfinalet e Ligës së Kombeve.
Në Amerikën e Jugut Argjentina u rikthye te fitoret 5 ditë pas disfatës kundër Paraguajit. Për eliminatoret e Botërorit, ‘albicelestët’ mposhtën minimalisht 1-0 Perunë, por goli i Lautaro Martinez rezultoi kryevepër. Sulmuesi i cili aktivizohet me Interin, barazoi rekordin e Maradonës me kombëtaren, teksa kjo ishte rrjeta e 32 me Argjentinën. Njëkohësisht ky ishte goli i tretë i Lautaros në 3 ndeshjet e fundit me kombëtaren.
Brazili ndërkohë u ndal në një tjetër barazim pas Venezuelës. Në Salvador 90 minutat kundër Uruguajit u mbyllën 1-1, ndërsa ishin këta të fundit që realizuan të parët me Valverden. Avantazhi i miqve zgjati vetëm 7 minuta, pasi Gerson barazoi për Brazilin. Për momentin ‘seleçao’ është e parrezikuar për t’u kualifikuar në Botëror, por këto kualifikuese ka zhgënjyer jo pak rrugës.