Barbullushi pret Ulrika Modée

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, znj. Odeta Barbullushi priti në takim Sekretaren e Shtetit pranë Ministrit për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ndërkombëtar të Mbretërisë së Suedisë, znj. Ulrika Modéer. 

Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e intensifikimit të tyre të mëtejshëm veçanërisht në aspektin ekonomik. 

Sekretarja e Shtetit Modéer konfirmoi mbështetjen e Suedisë për vendin tonë, nëpërmjet Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) në sajë të instrumentit të Strategjisë së Bashkëpunimit me Shqipërinë  për vitet 2014 – 2020. Ajo theksoi se pavarësisht krizës globale ekonomike dhe sfidave me të cilat po përballet BE, mbështetja e Suedisë për projektet zhvillimore për Shqipërinë do të mbetet e paprekur dhe në të njëjtin nivel me atë të viteve më parë. Ky fond do të shkojë në mbështetje të përpjekjeve që po bën vendi në drejtim të reformave dhe përafrimit me standardet e BE-së. Krahas qeverisjes demokratike dhe mjedisit, një shtyllë e tretë do të jetë dhe zhvillimi ekonomik. 

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, znj. Barbullushi, nga ana e saj, pasi vlerësoi vazhdimin e ndihmës suedeze tashmë e konfirmuar për një periudhe 15 vjeçare, u ndal në bashkëpunimin dypalësh ekonomik me Mbretërinë e Suedisë, duke i bërë një paraqitje të hollësishme mundësive që ofron vendi ynë për kompanitë suedeze, me kërkesën për ta shtrirë këtë bashkëpunim edhe në fushat e turizmit, energjisë, bujqësisë infrastrukturës etj., në një moment kur Shqipëria ofron një legjislacion të përshtatshëm dhe stimulues për investimet e huaja si dhe fuqi punëtore aktive dhe të re në moshë.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për procesin i integrimit evropian dhe bashkëpunimin rajonal, duke vlerësuar angazhimin dhe vëmendjen e Suedisë për rajonin e Ballkanit, veçanërisht për Shqipërinë, si dhe mbështetjen që Suedia jep për procesin e zgjerimit të BE-së. Zv. Ministrja Barbullushi e njohu Sekretaren e Shtetit për reformat që po ndërmerr qeveria në këtë proces me synim përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Nga ana e saj, Znj Modéer vlerësoi progresin e bërë në këtë drejtim si dhe rolin aktiv të Shqipërisë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe garantoi mbështetjen e Suedisë për procesin e zgjerimit në përgjithësi dhe të Shqipërisë në veçanti. 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Medalistët serbë të Paris 2024, festojë me këngë nacionaliste për Kosovën