Nuk munguan debatet e forta dhe akuzat sot në seancën plenare në parlament mes kampeve politike, ku rend ditë ishte Buxheti faktik.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, hodhi akuza të rënda ndaj ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha për futjen e Policisë së Shtetit në territorin e Parlamentit gjatë kaosit në fillim të muajit, si dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, për tenderët e blerjes dhe shitjes së energjisë.

Teksa e bënte përgjegjëse dhe të implikuar për vjedhjen e taksave të shqiptarëve në energji dhe rrugë, Bardhi i përmendi edhe vëllanë e ministrit Hoxha, duke i kërkuar që ta shkarkojë nga detyra si vartës.

Zv/kryeministrja iu kthye duke i thënë “të jam kthyer në fiksim, Belinda, Belinda, që kur nise ditën”. Por kreu i grupit të PD bëri menjëherë replikë në momentin teksa diskutohej buxheti dhe Balluku po dilte nga Parlamenti:

“Prit, ku iken, dëgjo përgjigjen!”, i tha ai.

Balluku i tha se “kishte punë në Fier”. Ajo kujtoi se mazhoranca socialiste ka ndryshuar gjendjen ekonomike të Shqipërisë në rrugë dhe energji me investime, por Bardhi ka vijuar të replikojë, duke i kujtuar përfitimet që ka marrë vetë ajo.

“Mjafton të shohim si vishej Belinda Balluku para 5 vitesh dhe sa kushton veshja e saj sot. Deputetët janë betuar për mirëqenien e qytetarëve, jo të vetes”, i tha deputeti demokrat zv/kryeministres.

Teksa edhe ministri Hoxha iu përgjigj se Policia zbatoi detyrën sepse turmat po shkonin drejt Kuvendit, deputeti demokrat e quajti ushtar të bandave të Durrësit. Ai hodhi akuza edhe ndaj vëllai të ministrit, duke thënë se vjedh paratë e shqiptarëve në OSHEE. Sipas Bardhit, “ai do të marrë në qafë veten dhe ministren Belinda Balluku”.