Gjykata Civile e Tiranës shtyu këtë të martë seancën për shqyrtimin e kërkesës së kreut të grupit parlamentar të Rithemelimit, Gazment Bardhi, për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.
Gjykata pritet t’i kërkojë Gjykatës së Lartë vendimin për vulën e PD, e cila riktheu sërish procesin në Apelin e Tiranës dhe pas kësaj do të mbajë qëndrim në lidhje me pranimin ose jo si palë në proces të Partisë Demokratike zyrtare. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Rezart Kthupi tha se kërkesa për çregjistrimin e Bashës si kryetar është jolegjitime.
“Përfaqësimi i organeve të partisë ndaj të tretëve bëhet nga kryetari i Partisë. Asnjë organ tjetër, përfshirë këtu edhe Kuvendin Kombëtar nuk mund të përfaqësojë partinë ndaj të tretëve. Këto organe kanë tagrin e rizgjedhje së kryetarit të ri, por jo të marrjes së tagrave të kryetarit. Në këto kushte, vakanca nuk zgjidhet duke i kaluar tagrat organit kolegjial, por zgjidhet duke zgjedhur kryetarin e ri të partisë” tha Rezart Thupi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Rithemelimit, Marash Logu, cilëson se Basha nuk është kryetar i PD dhe në kushte të tilla të pasqyrohet atë që ai e quan “realiteti i ri”.
“Këshilli Kombëtar ka adresuar çështjen që të fshihet emri i Lulzim Bashës dhe të pasqyrohet ai realitet që sot të gjithë e njohim, që Basha nuk është në kryetar i PD-së. Lulzim Basha nuk është kryetar i PD dhe nuk mundet që drejtimi i PD, legjitimitet i forcës opozitare në vend, të varet nga një vërtetim që merret me 200 lekë”, tha ai.
Ndërkohë seanca e radhës është vendosur të mbahet më 30 prill në orën 11:00, periudhë që vendimi i vulës do të ketë arritur te Civilja nga Gjykata e Lartë