Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi pas Korçës është ndalur sot në Elbasan ku ka zhvilluar një takim me strukturat. Bardhi ka dalë besimplotë nga takimi, pasi përmes një postimi në Facebook thotë se opozita, PD së bashku me aleatët janë shumicë në këtë qark dhe zgjedhjet e para të lira, sipas tij fiton më shumë se 55% të votave.

"Në qarkun e Elbasanit i gjeta demokratët të angazhuar në të gjitha nivelet e partisë për të bërë për vete sa më shumë qytetarë në Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Cërrik, Peqin, Gramsh dhe Belsh.

Demokratët e këtij qarku, megjithëse nën presionin e bandave të lidhura me pushtetin e Edi Ramës, Taulant Ballës dhe Qazim Sejdinit, ia kanë dalë të rriten e të forcohen dhe në zgjedhjet më të para të lira e të ndershme, bashkë me aleatët tanë, ne të fitojmë në qark më shumë se 55% të votave.

Nënat dhe baballarët e qarkut të Elbasanit e duan ndryshimin që të mos i shohin fëmijët e tyre të ikin si refugjatë, pse bandat e pushtetit nuk i lënë të ngrenë kokën. Të rinjtë e qarkut të Elbasanit e duan ndryshimin që të ndërtojnë një jetë dinjitoze në vendin e tyre, ku vlerësohet aftësia, ndershmeria dhe jo servilizmi e hajdutëria!

Nga takimet që pata në Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Cërrik, Peqin, Gramsh dhe Belsh jam plot besim që së bashku do t’ia dalim!" u shpreh ai.