Si për t’i treguar më shumë Lulzim Bashës sesa Edi Ramës muskujt, Gazment Bardhi mblodhi edhe në Korçë deputetët demokratë të qarkut, në foltoren e radhës që po zhvillon krah Flamur Nokës.

E pikërisht atij që e quan lidershipi i dikurshëm, duke referuar Lulzim Bashës, edhe pse ky i fundit vijon të mbajë vulën e PD, Bardhi i lë përgjegjësinë për përçarjen më shumë se dy vite.

“Ka dy lajme të mira që lidhen me bashkimin e PD dhe të opozitës, si premisa kërkesa dëshira që vinte nga çdo anëtar dhe simpatizant i PD. Unë jam i bindur se edhe ju ndani të njëjtën mendim që ndoshta për gabimet e lidershipit me përçarjen tonë ne jua shtuam vështirësitë”- tha Bardhi.

Pas bashkimit me Rithemelimin dhe zyrtarizimit të premten të Federatës pa Lulzim Bashën, Bardhi tha se është koha që opozita të nisë fushatën.

“Nëse ne nisemi punë që sot, derë më derë, fshat më fshat, qytet me qytet dhe nëse arrijmë të fitojmë besimin e qytetarëve, PD, opozita e bashkuar duhet dhe do të jetë fituese në 2025”- shtoi ai.

Në krah të Nokës, që tashmë nuk heziton ta njohë si numrin 2 të partisë, pasi njohu Berishën kryetar, Bardhi zhvilloi edhe takime në qytetin e Korçës.

Thirrje bënë edhe për protestën e 20 shkurtit, që do zhvillojnë para kryeministrisë.