Bardhi njeh Berishën si kryetar: Do respektoj vullnetin e shumicës! Grupi Basha? Në rrugë të gabuar, i ftoj të na bashkohen

SHKODËR- Pas bashkimit me Rithemelimin, Gazment Bardhi krah Flamur Nokës ka nisur takimet me bazën. Nga ndalesa e parë në qytetin e Shkodrës, i pyetur nga gazetarët nëse tashmë e njeh Sali Berishën si kryetar, Gazment Bardhi thotë se respekton vendimin e shumicës së anëtarëve.

“Kjo është e qartë në gjithë përgjigjet që kam dhënë. Sa kohë e kanë zgjedhur shumica e anëtarëve unë dhe cilido duhet të respektojë vullnetin e shumicës së anëtarëve të partisë”, tha Bardhi. 

Për Bardhin procesi i bashkimit ka ndodhur, ndërsa për grupin e deputetëve të Bashës thotë se po ndjekin rrugën e gabuar, ndërsa një ftesë ua bën për bashkim. Sipas tij çdo demokrat duhet të jetë në luftë me Edi Ramën dhe jo opozitën, ndërsa thotë se nëse zgjedhin rrugë tjetër nuk përfaqësojnë PD-në.

“Bashkimi ka ndodhur. Ka një pjesë të vogël të demokratëve që janë ende në rrugë të gabuar. Nga Shkodra i ftoj ti bashkohen PD, ti bashkohen betejës kundër Edi Ramës. Rruga e tyre për të qenë përballë opozitës dhe jo përballë Ramës është rrugë e gabuar që nuk e ndihmon Shqipërinë dhe popullin opozitar.

Ftesë për Bashën?

“Unë besoj se secili duhet të jetë në PD, nuk dua ti ndaj demokratët në grupime. Secili e ka vendin në PD, krah demokratëve përballë Ramës. Cilido zgjedh rrugë tjetër nuk përfaqëson PD”, tha Bardhi.

Bardhi iu përgjigj edhe deklaratës së kryedemokratit Lulzim Bashës se “nga SHBA, përfundoi poshtë Rrugës së Salës”, referuar protestave poshtë banesës së Sali Berishës, që ndodhet në arrest shtëpie.

“Asnjë përgjigje, nuk kam kohë për të humbur me batuta pa asnjë vlerë. Unë jam aty ku janë demokratët“, tha Bardhi për mediat.

Për Bardhin, turi i takimeve me bazën ka nisur nga Shkodra, të cilën e cilëson si një ‘simbol’ të sulmeve të vazhdueshme nga qeveria, që sipas tij ka deformuar edhe vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit 2023, ku për herë të parë kjo bashki u fitua nga socialistët.

“Për simbolin që përfaqëson, por edhe dega PD e Shkodrës që ka qenë pjesë e një sulmi të vazhdueshëm nga qeveria dhe grupet kriminale derisa arritën të deformojnë edhe vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet lokale. Nuk kishte alternativë tjetër për të nisur këtë tur të bashkimit të demokratëve në bazë, pas bashkimit të lidershipit drejtues të PD”, u shpreh Bardhi për mediat.

Bashkë me deputetët e këtij qarku, Noka e Bardhi do të zhvillojnë takime me strukturat e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Vaut të Dejës. Turi do të vijojë më pas në Elbasan e Korçë. Në këto takime, që në dukje i ngjajnë një fushate bashkimi, do të diskutohet aksioni jashtë-parlamentit, siç është protesta e 20 shkurtit të cilët tanimë do t’i bashkohen edhe deputetët e Gazment Bardhit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:12
Vizita e Bardhit dhe Nokës, reagon kreu i degës së PD-së në Malësi të Madhe: Për interesa personale

1707934905_800450Capture86.png

Kryetari i degës së PD-së në Malësinë e Madhe, Anton Kokaj, ka komentuar vitiën e Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës për të cilët thotë se "bashkimi" ndodh për interesa personale më shumë sesa për hallet e shqiptarëve.

Postimi i plotë i Anton Kokajt:

"Në anët tona kur martohej djali, duhej me shku për darkë te axhat, hallat, tezet, dajat e kumbara. Kështu u duk dhe vizita e sotme në Malsi të Madhe e ciftit të sapomartuar. Vecse kësaj here, martesa erdhi pas një divorci të vështirë ku nusja e dhëndri nuk lanë gjë pa thënë kundër njëri tjetrit. Aq, sa sot kur bëhej thirrje për të protestuar kundër krimit dhe korrupsionit të qeverisë, gjithkujt i ushtonin në veshë akuzat më të rënda për “babain e Zenit” e për Flamurin e të tjerë që janë sulmuar njësoj si Rama. E që ia kanë kthyer po aq hidhur sulmuesit.

Morali i fabulës: Më shumë se për hallet e shqiptarëve këta e kanë për hallet dhe interesat personale. Në emrin e bashkimit, sot u përpoqën ti ndajnë demokratet. Partia Demokratike e Malësisë ka treguar me veprime, jo vetëm që nuk ndan, por sakrifikon cdo gjë për të mbajtuar të bashkuar demokratët dhe malësorët. Asnjë fjalë nuk u tha sot për problemet e vërteta të këtij vendi, për ata djem dhe vajza që kanë lënë këtë vend, asnjë fjalë për mundin dhe djersën e këtyre malësorëve që tallen nga një grup i vogël me pushtet të majtë, pseudodemokrat dhe përfitues të të gjitha fondeve dhe subvencioneve. Sot qytetarët e këtij vendi kanë humbur ekonominë, por edhe shpresën për të nesërmen. Në Malësi sot janë 12 milion euro nëpër arat e malësorëve të mbuluara me plasmas që ngjajnë si ushqim për blegtorinë.

Boll u tallët me Malësinë, se ky vend është i djathtë që nga 1944. Lërini interesat tuaja personale, se është koha ajo që po i tregon të gjitha dhe po ju nxjerr të palarat. Dhe sa për ta mësuar: Partia Demokratike në Malësinë e Madhe është krijuar më datë 06 Janar".

SI.E./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • populli: 14/02/2024 11:25

    tamam beqir je !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë