Grupi i deputetëve të Rithemelimit u mblodh sot në Kryesinë e Kuvendit për të diskutuar mbi seancën e nesërme të Kuvendit. Në përfundim të mbledhjes, deputeti Gazment Bardhi tha se do të vijojnë me skenarin e bllokimit në Kuvend derisa të plotësohen kërkesat e tyre, ngritja e komisioneve hetimore dhe ndryshimi i përbërjes së komisionit për Reformën Zgjedhore.
“Dua të rikonfirmoj vendimin e sotëm të grupit të PD për të vijuar aksionin tonë në parlament deri në përmbushjen e kërkesave, ngritjes së komisioneve hetimore dhe për të çuar para reformën zgjedhore përmes një komisioni që legjitimon opozitën dhe mazhorancën sipas pozicioneve që kanë në Kuvend”, tha Bardhi.
Bardhi hodhi akuza se mazhoranca po përpiqet të marrë në kontroll edhe KLSH, duke thënë se kërkon të ngrejë një nënkomision për auditim kombëtar.
“Shpreh shqetësimin për një tentativë të mazhorancës për informacionet që janë bërë publike për të ngritur një nënkomision të auditimit parlamentar, që synon të marrë në kontroll KLSH. I bëj thirrje mazhorancës që të herë dorë, KLSH raporton në Kuvend, e paprecedentë që deputetë për mes një komisioni të kontrolluar nga mazhoranca të ndërhyjnë në punën e KLSH”, tha Bardhi.
Ai komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i dha ‘ok’ marrëveshjes me Italinë për emigrantët, duke e konsideruar si akt tradhtie kombëtare.
“Dua pa dyshim të bëj një koment për vendimin e GJK për marrëveshjen me Italinë për emigrantët. Keqardhje e thellë që GJK nuk u ngrit në interesin e opinionit publik, nuk kërkoi mendim të pavarur të GJEDNJ, akt i tradhtisë kombëtare. Marrëveshja përfshin Shqipërinë në hartën e vendeve që cënon të drejtat e qytetarëve”, tha Bardhi.