Bardhi: Përgjimet e BILD-it, si provë për paaftësinë e Ramës për të kapur drejtësinë

Bardhi: Përgjimet e BILD-it, si provë për paaftësinë e Ramës për të kapur drejtësinë

Pas publikimeve të djeshme të tabloidit gjerman BILD, kryeministri Rama deklaroi se do të padisë në Gjermani gazetarin Peter Tiede. Në Gjermani, në fushen e kundershtarit, e jo në Shqipëri, në gjykatat që Rama akuzohet se tani po i vendos nën ‘thundren’ e tij. Një bast i guximshëm i kryeministrit, po të merret parasysh që përballë lirisë së fjalës, drejtësia perëndimore jo rrallë herë e ka mbyllur një apo të dy sytë.

Por le të ndalemi pak te kapja e drejtësisë. Përgjimet e djeshme kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve të pjesshme vendore të vitit 2016, në Dibër. Në atë kohë, Edi Rama kishte 3 vjet e pak muaj që drejtonte qeverinë. Sipas të gjitha gjasave, këto përgjime janë iniciuar nga një padi e dorëzuar nga Edi Paloka në emër të opozitës, me 1 shtator 2016. Tani, le të spostohemi 8 vjet pas, e të imagjinojmë që në shtator të vitit 2008, 3 vjet pas ardhjes në pushtet të Sali Berishës dhe 6 muaj pas ‘aksidentit teknologjik’ të Gërdecit, me një padi të Gramoz Ruçit, prokuroria të guxonte të përgjonte eksponentë të lartë të PD-së, përfshi edhe vete Sali Berishën. Ruajna Zot! Ina Rama u etiketua ‘lavire bulevardi’ dhe orkestruese e një grushti imagjinar shteti, vetem se guxoi, për një moment, të bënte detyren e saj.

Duhet të pranojmë që Sali Berisha, ne pushtet, ishte shume proaktiv në marrëdheniet e tij me drejtesinë. I sapoardhur në krye të qeverisë për herë të dytë, nisi një sulm të fuqishëm ndaj Theodhori Sollakut, duke kërkuar shkarkimin e tij. Pavarësisht rezistencës së Presidentit Moisiu, Theodhori Sollaku ishte i paaftë të ngrinte qoftë edhe një akuze të vetme ndaj mazhorancës demokrate. Me ardhjen e Bamir Topit në krye te shtetit, Theodhori Sollaku u zëvendesua shpejt me Ina Ramën, qe Berisha me ngazëllim e krahasoi me Silvia Kontin, prokuroren heroike të serialit ‘Oktapodi’. Por Silvia Konti u shndërrua në Tano Karridi, sapo Berisha pa, që ajo s’kishtë në plan të bëhej vegël e tij.

Paaftësia e Edi Rames dhe mazhorancës socialiste, jo për të kontrolluar drejtesinë, por qoftë edhe për të pasur një informator të vetem brenda Prokurorise, për t’i lajmeruar që të bëjnë kujdes, se janë nën përgjim, është diçka vërtet shastisëse. Jo vetëm në 2016, 3 vjet pas ardhjes në pushtet, kur kryeprokuror ishte ende një besnik i opozitës, por as sot, 6 vjet më pas, kur akuzohet përdite nga opozita se me Arta Markun në krye të organit të akuzes Edi Rama është de facto kryeprokurori i vendit, ai nuk ka një njeri qe t’i tregojë përmbajtjen e këtyre përgjimeve, që prej gati një viti Lulzim Basha ia tund kërcenueshëm përpara fytyrës. Se perndryshe, nuk mund te spjegohet se si Edi Rama sakrifikoi Vangjush Dakon për disa përgjime të dala përpara përcaktimit të kandidateve, por kandidoi Pjerin Ndreun në Lezhë e Elton Arbanen në Shijak, me përgjime shumë më kompromentuese se ato te Dakos.

Në kushtet kur ne të gjithe e dime se si bëhen zgjedhjet në Shqipëri, se si Sali Berisha pasi kuptoi në referendumin e vitit 1994 që zgjedhjet edhe mund t’i humbiste, nuk e la me fatin e tyre në dorë të votuesve, ky naivitet i pushtetit aktual gati-gati të bën t’ua falësh të gjithë mëkatet e t’i vlerësosh për faktin që mendojnë se mund të qeverisin edhe pa kontrolluar çdo centimetër shtet.

Shumë nga përgjimet e BILD-it nxjerrin në pah probleme që te gjithë i dimë, por që nuk janë më pak të dënueshme për këtë fakt. Do të ishte e udhës që kushdo i përfshirë në to, të mbante të paktën pergjegjësi politike. Por kjo s’duhet të na beje të harrojmë ata që, pasi përdornin këto mënyra e prape nuk arrinin te fitorja, s’e kishin fare problem t’i vidhnin zgjedhjet nga salla e mbledhjeve të KQZ-së, në transmetim direkt televiziv.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spanjolli u dënua për një cigare hashashi në Shqipëri: Avokati më kërkoi t’i jepnim 3 mijë euro prokurorit për lirimin

Spanjolli u dënua për një cigare hashashi në Shqipëri: Avokati më kërkoi t’i jepnim 3 mijë euro prokurorit për lirimin