
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se “po përgatit grusht shteti”. Në një deklaratë publike, Bardhi u shpreh se Rama ka minuar prej kohësh standardet demokratike dhe themelet kushtetuese të Republikës.
Ai kritikoi argumentet se Gjykata dhe SPAK po ndikojnë qeverisjen, duke deklaruar se këto institucione thjesht po ushtrojnë autoritetin që u njeh Kushtetuta, ndërsa “qeverisjen e vërtetë e ka diktuar krimi i organizuar”.Bardhi theksoi se Balluku “nuk është pezulluar si deputete, pasi kjo është e ndaluar me ligj”, ndërsa masa e pezullimit lidhet vetëm me ushtrimin e funksioneve ekzekutive. Sipas tij, kjo dispozitë ligjore ekziston pikërisht për situata kur vendimmarrja për shkarkimin i takon “një personi të papërgjegjshëm apo një bashkëfajtori në korrupsion”, duke përmendur Ramën.
Bardhi deklaroi gjithashtu se “as Balluku dhe as Rama nuk mund të shpëtohen nga mjerimi në logjikë”, duke shtuar se fundi i tyre politik është i pashmangshëm për shkak të “sistemit korruptiv të qeverisjes që kanë ndërtuar vetë”.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Edi Rama është duke përgatitur grusht shteti!
Për pushtetin e tij, ka kohë që ka shkallmuar çdo rregull dhe standard të funksionimit demokratik të shtetit, duke nisur nga themeli kushtetues i Republikës “qeverisja bazohet në zgjedhje të lira dhe të ndershme”!
Teoria se Gjykata dhe SPAK po përcaktojnë qeverisjen, bëhet ekzaktësisht nga ata që nuk janë shqetësuar asnjë ditë për faktin që qeverisjen e përcakton krimi i organizuar! Pra, Kushtetuta dhe ligji që i njeh këtë autoritet Gjykatës dhe SPAK, janë gabim, ndërsa sistemi i Edi Ramës që qeverisjen e dikton krimi i organizuar dhe korrupsioni, është i drejtë. Çfarë turpi dhe mjerimi!
Belinda Balluku nuk është pezulluar nga funksioni si deputete. Këtë e ndalon ligji! Gjykata dhe SPAK e kanë respektuar këtë ndalim. Ndërkohë “pezullimi për të ushtruar funksionet publike” në pushtetin ekzekutiv është qëllimi për të cilën ekziston kjo masë ndaluese në ligj, në kushtet kur vendimmarrja për shkarkim i është besuar një njeriu të papërgjegjshëm (siç është Edi Rama) apo një bashkëfajtori në korrupsion me të pandehurin (siç është po Edi Rama)!
Mjerimi në logjikë nuk e shpëton dot as të pandehurën e sotme Belinda Balluku dhe as të pandehurin e afërt në kohë Edi Rama! Fundi i tyre i shpejtë është shkruar nga sistemi korruptiv i qeverisjes që kanë ndërtuar vetë.
Lajmi kryesor:
Balluku u pezullua nga detyra/ ‘Mundësia’ protestë te Kryeministria! Bardhi: Fundi i saj, çelje kapitulli












