Baritoni Ylber Gjini: Metodat
e errëta të Zhani Cikos në TOB

Baritoni Ylber Gjini: Metodat<br />e errëta të Zhani Cikos në TOB
TIRANE- Të shkruash një artikull për TOB është një torturë e vërtetë, sepse ka kaq shumë probleme sa nuk di nga t’ia fillosh. Megjithatë kam dëshirë të jap një rezyme si funksionon mosfunksionimi i TOB.

TOB nuk ka drejtor artistik ose më mirë të themi drejtori artistik ka dhënë dorëheqje për shkak se nuk ju delegua asnjë kompetencë ligjore.
Bordi i jashtëm është inefiçent. Ai as nuk mblidhet dhe as shpërndahet sipas ligjit. TOB ecën sipas arkitektit të madh, drejtorit aktual.
Drejtori i institucionit i ka dhënë vetes së vet këto kompetenca të paligjshme. Mbledh bordin e jashtëm, po ju tek për ta mbledhur në cilësinë e kryetarit të bordit.
Mbledh bordin e brendshëm që nuk ekziston sipas ligjit në cilësinë po të kryetarit.

Bën audicione në TOB po si kryetar i komisionit që ndërtohet brenda orës dhe jo i cilësuar që në fillim me procedurë normale nga rregullorja e brendshme.
Mban në punë pensionistë miq të tij, në kundërshtim të vendimit të qeverisë.

Fut në punë në mënyrë klienteliste e të dyshimta, persona me aftësi që lënë për të dëshiruar, pa komision të gjerë. Nxjerr nga puna dhe kërcënon me pushim nga puna të gjithë ata që nuk janë dakord me strategjinë e tij komuniste të drejtimit të teatrit. Vendos vetë se kush do të dalë në skenë dhe kush nuk do të dalë.
Persekuton solistët shqiptarë sistematikisht sepse nuk e duron dot kultin e tyre. Ka mbledhur rreth vetes njerëz të paaftë dhe servilë dhe i përdor ata kundër artistëve të mirë në TOB. Ka sfumuar dirigjentin e operas sipas teorisë “topin e kam unë, penalltinë do ta gjuaj unë”. Shkatërroi ekspozitën që bëri një ish-paraardhës me fotografi të artistëve më të mirë që nga krijim i TOB-it Kjo ekspozitë kushtoi 10 milion lekë, kur u konceptua dhe u realizua. Nuk duron asnjë kult në TOB përveç kultit të vet fars.  Vendos në TOB se kë do të bëjë person publik dhe kë jo.  Komandon mediat që të intervistojë vetëm klientët e vet.
Kërcënon me shkrirje sektorësh duke shpikur kriza dhe duke i qarë hallin qeverisë. Që kur ka shkelur në TOB e ka patur strategji goditjen e artistëve solistë si njerëzit më të pathyeshëm në TOB. Ka diskriminuar solistët shqiptarë duke sjellë nga jashtë artistë që kanë lënë shumë për të dëshiruar.  Fondi i Ministrisë të Kulturës që jepet për artistët shqiptarë harxhohet me të huajt në allishverishe të dyshimta. Shbërblen në TOB jo meritokracinë por servilët e vet që i servilosen dhe i thurin lavde të pamerituara. Kërcënon zërin ndryshe në TOB me vendin e punës. Me strategjinë e tij të dështuar ka dëmtuar shumë frymën demokratike në TOB. Artisët kanë frikë të shprehin mendimin e tyre hapur dhe pa ndrojtje. Ka vendosur në TOB parrulla të ndryshme ku ndalohet çdo informacion financiar. Ka një terr informativ për shpenzimet në TOB.  Posterat e shfaqjeve ku debutojnë artistët shqiptarë i formulon në mënyrë që artistët shqiptarë të mos evidentohen sipas meritës së tyre. Po mbahet peng një brez artistësh që nga 1990-ta. Atyre nuk u jepet asnjë stimul moral ose tituj sepse penguesi kryesor është ky drejtor që nuk e kuptuam kurrë dhe akoma se kemi të qartë se me kë kemi të bëjmë. Kur u emërua nga qeveria socialiste një miku im nga Radio Televizioni me tha “Ne shpëtuam, tani ta mbani me shëndet!”Unë duartrokita shumë, kur ky person mori drejtimin e Operas. Bile ka mundësi që më dhembin pëllëmbët e duarve akoma. Mendova që ky njeri që u bë i njohur në “Ethet” e kalamajve do të drejtonte dhe do ta bënte TOB-in, që artistët ta ndjenin veten artistë kur të vinin në TOB, por nuk qe e mundur. Ai erdhi në Opera për të sunduar dhe jo për të drejtuar. Hakmarrës, shtypës, ofendues, abuzues, llafollog mediatik...janë disa nga tiparet që kam konstatuar tek ky sundues, pa përmendur dhe disa fakte të tjera që po fliten nëpër shtyp dhe media këto ditë. Për mendimin tim këtu është instaluar një mafie në art, që vendosin ata se kush do ta drejtojë institucionet dhe si do të ndahen paratë e projekteve, paratë e taksapaguesve shqiptarë.Në qoftëse nuk luftohet kjo mafie që i është qepur pushtetit, gjoja nën petkun e personaliteteve të mëdha të artit, arti dhe kultura dhe institucionet do të vazhdojnë kështu, do të drejtohen nga këto megallomanë që personifikojnë artin dhe kulturën me veten e vet.

Si artist karriere prej 20 vitesh, ndalohem nga ky sundues që të marr pjesë në koncertin e Pavarësisë që u dha në TOB. Deri këtu arriti hakmarrja primitive e një demoni fals ndaj meje si artist karriere dhe që vendosa ti jap aftësitë e mija artistike në vendin tim edhe pse kam patur oferta jashtë Shqipërisë.Si një artist që kam ndjerë edhe shtypjen e egër komuniste, kam vendosur që të mos bëj sehir ndaj fenomeneve që ndodhin nëpër institucione. Ndonëse pak i lançuar në botën mediatike, për shkak të sfumimit që më është bërë, nga titullari i institucionit, unë përshëndes spektatorin tim dhe fansave të mi, ju jap fjalën se kthimi në skenë është detyra ime, pasioni im dhe nuk ka të drejtë asnjë që të më ndalojë. Në qoftë se TOB ka patur një sukses siç e trumbeton titullari merita i takon artistëve të TOB, trupës të TOB që ka dhënë shpirtin në skenë dhe jo drejtorit megaloman, që mbas çdo shfaqjeje vrapon nëpër televizione të ndryshme të marrë meritat.
Për herë të parë në jetën time kam parë dhe kam lexuar se në gjithë teatrot e botës është rast unikal ku dekoratat dhe meritat i merr drejtori i TOB.

Por si duket paskan ndryshuar kohërat. Tani do të dekorohen drejtorët dhe jo si më parë që dekoroheshin artistët. Strategjia e dështuar e drejtimit të TOB duhet të marrë fund sa më parë, se pastaj do të jetë shumë vonë për të riparuar gjithë këtë masakër që ka ndodhur në TOB, masakër në drejtim të shkeljes së individit, në drejtim të zhdukjes së trashëgimisë në TOB si skena, kostume, etj. Unë i takokam një brezi, që si duket do ta mbyll karrierën me pinjollët e komunizmit mbi kokë.
TOB ka nevojë për një drejtim bashkëkohor evropian, por me drejtues të pastër, pa komplekse meritokrate dhe jo pseudoartistë që zanatin më të mirë kanë servilizmin ndaj pushtetit. Për të shkruajtur të gjitha bëmat në TOB nuk dalin faqet e të gjithë gazetave, por për të mos mërzitur lexuesin duhet ta mbyll këtë rezyme të shkurtër. Po të hysh sot në sektorin e solistëve është një katastrofë.

Studio të prishura që riparohen, solistë që shkojnë nga njëra studio në tjetrën, si atyre zogjve që iu prish folenë dhe vetëm një lutje kanë: o zot na mbro nga të paudhët, nga drejtorët e përjetshëm që qeshin por prapa qeshjes fshehin fytyrën e vërtetë të sunduesit dhe jo të drejtuesit të TOB. I drejtohem kolegëve të mi artistë se liria dhe demokracia tashmë është një realitet dhe askush të mos ngurojë të thotë fjalën e vet fuqishëm. Kjo e shëndosh shoqërinë tonë shqiptare.
(Shkrimi eshte botuar dje ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ilir Beqaj në qeli për abuzim me fondet e BE, SPAK i kontrollon banesën në Vlorë

Ilir Beqaj në qeli për abuzim me fondet e BE, SPAK i kontrollon banesën në Vlorë