TIRANE- Zoti Gjergj Frashëri, si mendoni, çfarë duhet bërë më tej me punimet në Prezë?

Të ndalohen një herë e përgjithmonë. Kodra dhe shpatet e kodrës së një kalaje apo kështjelle janë pjesë integrale e monumentit, janë elementët funksionalë të saj, të cilat e kanë mbrojtur atë, prandaj ato janë ngritur në majën e kodrave apo shkëmbinjve. Ndërtuesi i Prezës duhet të bëhet i qartë juridikisht se e ka dëmtuar monumentin, pavarësisht se ka një leje ministrie në dorë. Ajo është një aksident që i ka shkaktuar atij MTKRS-ja dhe miqtë e tij. Ndërtuesi është indirekt bashkëpërgjegjës, sepse kur i lindi ideja për të ndërtuar në majë të monumentit të kulturës, duhet të kishte pyetur mirë si qytetar i kulturuar, segmentet juridike, a kishte të drejtë ligjore për këtë, pavarësisht se ishte prona e tij.

Kjo, në një shoqëri tashmë me integrim evropian është detyrim, sepse çdo kërkesë që bën qytetari duhet të jetë mbështetur në ligj dhe kjo pjesë është detyra e tij. Në se nuk e ka bërë, jo vetëm nuk i takon asnjë kompensim për shpenzimet e kryera, por përkundrazi duhet të shpenzojë edhe më, për të rikthyer gjendjen e mëparshme të monumentit pas dokumentimit, të udhëhequr nga një projekt përkatës i specializuar.

Nga ana tjetër, e gjithë barra e shkeljes juridike dhe morale të fenomenit i takon ta mbajë MTKRS-ja, udhëheqja e saj me segmentet institucionale të inkriminuar prej kohësh të saj, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Për këtë duhet të reagojë së pari vetë Ministri, kryetari i dy këshillave kombëtare dhe institucioneve ministrore, që punojnë për lëshimin e lejeve të tilla. E gjithë kjo kastë me veprimtari antiligjore, pjesë e trupit të shtetit të korruptuar deri në grykësi për përfitime vetjake, është tërësisht përgjegjëse për Monstra-Betoni që ngrihen në mes të ditës në Kështjellën e Prezës, në Kalanë e Krujës, në mes të sheshit të Gjirokastrës e shumë të tjera, duhet të largohet sa më parë nga detyrat që kryejnë. Kur shkelin ligjet përfaqësuesit e shtetit dëmi moral është më i madh në sytë e shoqërisë, prandaj edhe hetimi dhe ndëshkimi duhet të jetë i tillë.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)