Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Presidenti i KE-së, Barroso theksoi se "jam shumë i lumtur që gjendem këtu sot t'u uroj juve z Kryeministër, por edhe të gjithë shqiptarët për vendimin e Bashkimit Europian për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat".
"Dhënia e statusit të vendit kandidat, të cilën Komisioni Europian e kishte rekomanduar dhe pranuar në mënyrë unanime nga qeveritë e vendeve të BE-së dhe konfirmuar në Këshillin e fundit Europian në takimin e krerëve të shteteve e qeverive të vendeve anëtare të BE-së është një sukses i madh për Shqipërinë. Ky ishte një lajm i mirë për të gjithë rajonin e Europës Juglindore dhe tregon që procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe dinamik. Po ashtu, që BE i mban anagzhimet e veta strategjike me ecjen përpara kur vendet tona partnere japin rezultate".
Presidenti Barroso shprehu falenderime ndaj Kryeministrit Rama, "për fjalët tuaja ndaj meje, ju thatë që unë jam mik i Shqipërisë, po ashtu edhe kolegu im në Komision, Stefan Fule, por edhe të gjithë në Komisionin Europian kemi qenë gjithmonë në anën tuaj dhe mendoj se do të vazhdojmë të jemi në anën tuaj. E mbaj mend kur ju keni ardhur për vizitë në shtator, kur ju prita ne Bruksel, unë ju thashë atëherë se unë besoj se ishte e mundur të arrihej objektivi i statusit të vendit kandidat me kusht që Shqipëria të ndërmerrte hapat e duhura dhe sot ju i keni ndërmarrë këto hapa".
Duke ururar qeverinë, të gjitha palët, forcat politike, që kanë kontribuar për këtë moment të rëndësishëm, por mbi të gjitha popullin shqiptar, Barroso tha se "ky është suksesi juaj i përbashkët, pra statusi i vendit kandidat do të thotë që njihet angazhimi dhe hapat konkrete te ndërmarra nga qeveria kohët e fundit në mënyrë që të çohet më tej procesi i reformave për BE-në, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për reformën në drejtësi".
Presidenti Barroso u shpreh se "dua t'u falënderoj ju z Kryeministër se ju e keni thenë më të drejtë se kjo është një detyrë kombëtare, por në demokraci partitë janë shumë të rëndësishme, unë besoj se kjo detyrë e integrimit europian ka një dimension historik dhe këtë dimension që ka në Shqipëri duhet parë si konsensus, pra edhe përtej partive të ndryshme politike që natyrisht mund të japin kontributin e tyre të vërtetë në këtë proces modernizimi të vendit".
"Kam besim se ky kapitull i ri do t'i japë një shtysë tjetër Shqipërisë për të trajtuar këto sfida me vendosmëri e energji. Për të ecur më tej në rrugëtimin drejt BE-së, Shqipëria lypset të vazhdojë të intensifikojë qasjen sistematike për reformat duke u përqendruar tek prioritetet kyçe në mënyrë të veçantë, në respektimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, reformën në gjyqësor dhe jam shumë i kënaqur që shoh që qeveria i ka këto prioritete", deklaroi ai.
Në përfundim, Presidenti Barroso nënvizoi se për të pasur sukses, integrimi europian duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës. /vijon/ k.s/a.g/