TIRANË, 30 Qershor /ATSH-Arbi Fortuzi/ - Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, gjatë vizitës që zhvilloi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërtuar me fondet e Bashkimit Evropian, u shpreh se, Gjykata e Krimeve të Rënda duhet të vërë theksin e punës së saj në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrusionit në nivele të larta.
"Java e kaluar ka qenë një javë e mirë për Shqipërinë. Në veçanti për rrugëtimin e saj drejt BE. U arrit një moment historik, kur Shqipërisë iu dha statusi kandidat. Dhënia e statusit kandidat është rezultat i përpjekjeve të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sepse ishte fryt i punës së bërë në të gjitha fushat si edhe përpjekja pozitive e bërë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit", tha Barroso.
Duke folur për vizitën në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Barroso tha se, "jam i kënaqur që gjendem këtu sot, për të vizituar një institucion që ka rol të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë. E kam kuptuar se në kohët e fundit, kompetencat e kësaj gjykate janë edhe më të gjera, ku pjesë e të cilave është korrupsioni në nivele të larta. Ne na duket se nga kjo lloj pune duhet vënë theksi pikërisht në dënimin e këtyre veprave penale, krim i organizuar dhe korrupsion".
Ne, vijoi Presidenti i KE, "po ashtu besojmë që gjykatat të jenë efikase duhet bashëkpunim i përforcuar mes institucioneve. Gjykata do të duhet të punojë dhe bashkëpunojë ngushtësisht edhe me ILDKP-në. Natyrisht që gjykata më vete nuk do të funksiononte, pasi ajo ka një rol të rëndësisëhm për të kryer në zbatim të ligjit në vend".
"BE është vërtetë krenare që ka kontribuar në një projekt kaq të rëndësishëm për Shqipërinë e drejtë dhe europiane. Dhe natyrisht kjo ndihmesë në fushën e së drejtës, që ka kapur shfirën 150 milionë euro, është dëshmi e qartë e rëndësisë që kanë këto çështje", tha Barroso.
Po ashtu, vijoi Barroso "edhe të rëndësisë që kanë në procesin e integrimit europian. Në rast se do më lejoni të bëjë një koment personal, gjykata dhe gjyqësori janë tepër të rëndëssishëm në konsolidmin e demokracisë së një vendi". /a.ke/