TROPOJE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi dje një ceremoni me rastin e 23 vjetorit të themelimit të PD-së në Tropojë ku ishte i shoqëruar nga Erzen Breçani, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i policisë së Tiranës. Në fjalën e tij Basha para militantëve të PD-së theksoi se situata e rendit publik në Shqipëri është alarmante pasi sipas tij, qeveria i shkarkoi policët profesionist për ti zëvendësuar ata me militant partie, ndërkohë që në krah kishte ish-zëvendësdrejtorin e policisë së Tiranës. “Oferta e tyre është tritol-politika.

Me tritol-politikën kanë konceptuar projektin e tyre për kundërshtarin dhe kundërshtimin, si diçka që frikësohet apo zhduket mes shpërthimit dhe pluhurit. Duke denoncuar tritol- politikën e Edi Ramës, si një politikë shkatërrimtare që synon të riciklojë konfliktualitetin më të egër në historinë e pluralizmit, ne demokratët i themi Ramës se do të të izolojmë në kullën tënde të barutit”,- u shpreh Basha.

Në këtë takim Basha ishte i shoqëruar nga deputeti Besnik Dushi si edhe nga djali i Azem Hajdarit. Kjo vizitë e Bashës në Tropojë është edhe më simbolike pasi Bajram Curri është një nga bastionet më të mëdha të demokratëve, pavarësisht se ish-kryetari i PD-së Sali Berisha e vizitonte këtë qytet shumë rrallë. Ajo që ra në sy nga pamjet e dërguara nga PD ishte se numri i pjesëmarrësve në aktivitet nuk ishte shumë i madh, pavarësisht se Tropoja është qendra kryesore e votave të veriut për Partinë Demokratike.
 

Shkrimi u publikua sot (11.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)