Basha: Byroja e Hetimit të
kalojë urgjent sot në Kuvend

Basha: Byroja e Hetimit të<br />kalojë urgjent sot në Kuvend
TIRANË - Partia Demokratike kërkon që ligji për Byronë Kombëtare të Hetimit të futet me procedurë të përshpejtuar sot në seancën e Kuvendit. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se drafti i projektligjit të asistuar nga partnerët amerikanë është gati dhe dakordësi me të ka shprehur si PS e LSI ashtu edhe opozita. Një nga kërkesat e demokratëve është struktura të jetë në varësi të Prokurorit të Përgjithshëm, kërkesë e cila është mbështetur nga LSI. “Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të futet në rendin e ditës ditën e enjte. S’ka mbetur gjë tjetër për t’u rakorduar, gjithçka është rakorduar.

Taksapaguesit amerikanë përmes ndërhyrjes së çmuar të ambasadorit Lu dhe qeverisë amerikane kanë vënë në dispozicion miliona dollarë, për të trajnuar prokurorët dhe punonjësit e policisë që do të jenë pjesë e kësaj strukture për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë. Çfarë presin, pse vonohet? Ndaj sot dua të autorizoj kryetarin e Grupit Parlamentar që nesër në seancë plenare ti kërkoj Kuvendit miratimin me procedurë të përshpejtuar të ligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit”, u shpreh Basha. Teksa kryefjalë e deklaratave të kryetarit demokrat ka qenë bllokimi i reformës në drejtësi nga kryeministri Edi Rama, shefi i opozitës e akuzoi atë dje edhe për zvarritjen e ligjit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Problemi, i tyre është korrupsioni.  Korrupsioni, krimi, janë përgjegjësit e dështimit apo përkeqësimit në çdo fushë. Sot kjo qeverisje mund të përmblidhet në dy fjalë, para dhe propagandë. Para jo për njerëzit, jo për qytetarët, kuleta e të cilëve vetëm sa është holluar, para për vete dhe për klientët e tyre”, tha ai. Basha tha se është kryeministri Rama që pengon dhe nuk do reformën në Drejtësi duke u shprehur se janë thjeshtë fjalë ata që thonë se Partia Demokratike dhe Ilir Meta nuk e duan reformën në drejtësi. “Nuk të beson më askush, as ty, as kasnecët e tu kur bredhin lartë e poshtë në perëndim duke thënë që opozita nuk e do reformën, që Ilir Meta nuk e do reformën. Opozita e do reformën, opozita është gati të bëjë gjithçka për reformën.

Ndaj t’i lemë llafet, të ulemi, ti japim shqiptarëve  një drejtësi të reformuar. Përndryshe barra e përgjegjësisë për këtë dështim është qartësisht e Edi Ramës dhe kupolës së tij. Sikundër akuza që i bëj sot si kryetar i opozitës, por që është akuza legjitime e çdo qytetari syhapur dhe të vëmendshëm ndaj aferave në këtë vend është se reforma në drejtësi e tremb Edi Ramën”, theksoi Basha. Në kushtet kur reforma në sistemin e drejtësisë ka ngecur politikisht, pavarësisht se drafti i ekspertëve dhe dy opinionet shoqëruese, ai i PD dhe LSI, po shqyrtohen nga Komisioni i Venecias, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i përsërit ftesën kreut të mazhorancës, Edi Rama, për ngritjen e një tryeze politike.

“Zotit Rama s’i mbetet veçse të përgjigjet drejt, pa spërdredhje. Nëse është për reformën në drejtësi është i mirëpritur dhe  këtë ftesë që po ia drejtoj unë, kryetari i opozitës. Të ulemi pa humbur kohë dhe të kryejmë një tjetër proces si ai që të gjithë po e lavdërojnë sot, edhe ata që nuk e deshën dhe që në fakt nuk e duan akoma por që s’kanë çfarë të bëjnë, procesi i dekriminalizimit”, deklaroi Basha. Demokratët ndryshuan qëndrim lidhje me ligjin e Byrosë, pas asistimit të tij nga ekspertët amerikanë. 
 
Konsensusi
“Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të futet në rendin e ditës ditën e enjte. S’ka mbetur gjë tjetër për t’u rakorduar. I kërkojmë Kuvendit miratimin e ligjit me procedurë të përshpejtuar”

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois