Basha: Byroja truk, e votojmë 
vetëm në varësi të Prokurorisë
Drafti/Byroja në varësi të Policisë e Prokurorisë

Basha: Byroja truk, e votojmë <br />vetëm në varësi të Prokurorisë<br />Drafti/Byroja në varësi të Policisë e Prokurorisë
TIRANË -  Demokratët janë thyer në besë nga qeveria me miratimin surprizë të projektligjit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, mesditën e së mërkurës. Sipas liderit të opozitës Lulzim Basha ky nuk është varianti për të cilin Partia Demokratike kishte rëndë dakord me mazhorancën, sipas modelit amerikan dhe i bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Në një prononcim për gazetarët mëngjesin e kësaj të enjteje kryedemokrati Basha shprehu publikisht se opozita nuk do ta votojë këtë ligj, me argumentin se Byroja e Hetimit e miratuar nga qeveria nuk është tërësisht në varësinë e Prokurorisë, siç palët kishin rënë dakord më herët.

Për liderin e opozitës, drejtimi i Byrosë nga Policia e Shtetit do të thotë kontroll i hetimeve nga vetë qeveria, hetime që do të fokusohen në luftimin e korrupsionit në radhët e zyrtarëev të lartë.

"Varianti që është publikuar nuk është varianti i dakordësuar me ndërmjetësimin e partnerëve  amerikanëve dhe Komisionin e Venecias. Ky është një variant tjetër, jo ai për të cilin ne kemi dhënë dakordësinë tonë. Se pse Edi Rama 5 ditë më parë nxori Arben Ahmetajn për të komunikuar se nuk do ta kalonte ligjin për Byronë e Hetimit pa ardhur edhe një herë rekomandimet e Venecias dhe katër ditë më vonë ndryshoi mendje, kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni ju. Unë dua të përsëris këtu se Partia Demokratike ka qenë dhe është e vendosur për Byronë Kombëtare të Hetimit sipas draftit të rakorduar me partnerët tanë amerikanë dhe në përputhje me rekomandimin nr.90 të Venecias në 23 dhjetorit apo 21 dhjetorit të vitit të kaluar. Dhe nëse mazhoranca e ka këtë vullnet ne e votojmë sot. Sigurisht një variant unilateral, i cili nuk merr parasysh rakordimin me partnerët tanë amerikanë dhe Komisionin e Venecias nuk është gjë tjetër veçse një provokim apo një truk për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk do të votohet. Nuk do të votohet sepse një draft i tillë në vend që ti hapë rrugë hetimit të korrupsionit dhe krimit, mbyll dosjet e korrupsionit dhe bëhet mburojë për krimin. Sepse një variant i tillë dorëzon hetimin penal tek qeveria, çka është e papranueshme dhe s’është në përputhje me asnjë model europian, as me Kushtetutën e Shqipërisë, as me draftin e rakorduar me partnerët amerikanë dhe as me rekomandimin e Venecias. Por në qoftë se është i sinqertë, në qoftë se me të vërtetë dëshiron të ketë Byronë Kombëtare të Hetimit një orë e më parë realitet ligjor, ne që sot jemi gati të votojmë draftin e rakorduar me parnterët amerikanë dhe sipas rekomandimit nr. 90 të Venecias. Nëse jo le ta marrë vesh çdo shqiptar se kush është kampioni i hileve dhe i trukeve në Shqipëri. Por këto hile e truke nuk i ecin as me Partinë Demokratike, as me Lulzim Bashën, as me partnerët amerikanë, as me Komisionin e Venecias", tha kreu demokrat Basha.

Pyetje: Çfarë ndryshon nga drafti i dakordësuar me draftin e qeverisë? Konkretisht cila është pika që ju ndan?
Basha: Pika që na ndan është dakordësimi që ky institucion duhet të jetë 100% nën autoritetin e Prokurorisë, siç e parashikon Kushtetuta, siç parashikon Komisioni i Venecias, siç kemi rakorduar me partnerët tanë amerikanë.

Një ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kryetari Basha ishte i lëkundur në qëndrimin e tij përballë Byrosë, kjo për shkak se nuk ishte njohur me projektligjin që kish miratuar Këshilli i Ministrave. Edhe pse e përshëndeti në parim ngritjen e Byrosë, Basha la të qartë se opozita nuk do të binte kurrsesi dakord nëse ky institucion nuk do të ishte në varësinë 100 % të Prokurorisë. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois