Basha: Degët e PS me kriminelë
Rama ka frikë të zbatojë ligjin

Basha: Degët e PS me kriminelë<br />Rama ka frikë të zbatojë ligjin
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përshëndetur sot votimin me unanimitet të ligjit të Dekriminalizimit në Parlament, por ka theksuar se ka dyshime që kryeministri Edi Rama nuk do e zbatojë këtë ligj, i cili synon largimin e të gjithë personave të inkriminuar nga qeverisja.

Ka shenja që Rama ska ndërmend ta zbatojë këtë ligj, por unë iu bëj thirrje socialistëve që të mos lejojnë që ata që i shpëtuan dekriminalizimit, të diktojnë e bëjnë ligjin në familjen e tyre politike. Persona të dënuar me precedent diktojnë dhe kanë marrë në dorë PS në shumë qytete. Kjo dëshmon se ai s’ndahet nga krimi,pasi pakti me krimi vazhdon” deklaroi Basha.

Basha ka shtuar se, kjo është paketë e plotë ligjore ndërsa ky votim do të mbahet mend si dita kur e mira triumfoi mbi të keqen.

Dekriminalizimi është arrtije e madhe për vendin e qytetarët. Vlera më e madhe e këtij parimi është se arriti të sanksionojë dhe u kthye në ligj të detyrueshëm në zbatim, si ide që lindi nga PD e i mbijetoi liuftës dhe intigrave të Ramës. U rrit, u zmadhua nga mbështetja popullore, e partnerëve aq sa u dorëzua shumica që e polli e përhapi inkrimimin nga shtrati ku u ngjit qeverisja” tha ai.

Ai ka falenderuar edhe ndërkombetarët, qytetarët shqiptar dhe ekspertët e PD-së, pa ndihmën e të cilëve, Basha tha se, nuk do e kishim arritur. Ai ka garantuar gjithashtu për zbatimin e këtij ligji nga Partia Demokratike.

Garantoj qyteatrët se kjo paketë do të zbatohet nga unë dhe PD. Ky është vullnet i padiskutueshëm që e kemi provuar me shembuj konkret” ka thënë ai.

Beteja për votën e lirë, tha Basha ështe beteja e madhe e PD shoqërisë e mbarë vendit. Ne do i prijmë kësaj beteje, shtoi Basha,ku me votë të lirë dhe zgjedhjet e lira do shërohen plagët që ka vendi e qytetarët.

Ja fjala e plotë e tij.

Të nderuar bashkëqytetarë

Dua të përshëndes sot kalimin e paketës së Dekriminalizimit, pra ligjin për dekriminalizimin dhe amendamentet shoqëruese të Kushtetutës të kaluara me konsensus unanim dje në Parlamentin e Shqipërisë.

Dekriminalizimi është një arritje e madhe për vendin, për qytetarët shqiptar.

Vlera më e madhe e këtij parimi është se arriti të sanksionohet, doli në krye, u kthye në ligj e normë të detyrueshme për zbatim, si një ide që lindi nga opozita në pakicë në parlament, si një ide që i mbijetoi të gjithë luftës së ashpër dhe pa parim kundër saj, të gjithë intrigave dhe makinacioneve të Edi Ramës.

Triumfoi si një ide që u rrit, u zmadhua, u bë e madhe nga mbështetja juaj, nga mbështetja popullore e mbështetja e partnerëve të çmuar amerikanë dhe europianë, aq sa para saj u dorëzua në fund shumica që polli e përhapi pikërisht inkriminimin, shtratin kryesor nga ku u ngjiz kjo keqeverisja e sotme.

Kjo ide e madhe e pastrimit të politikës nga trafikantët, banditët, vrarësit, të dënuarit për vepra të rënda penale, është sot një paketë e plotë ligjore me efekt të menjëhershëm.

Votimi dje me unanimitet në parlament do të mbahet mend si dita që e mira fitoi mbi të keqen.

Dua ta përshëndes këtë arritje, dhe dua të falenderoj sot bashkëpunëtorët e mi që punuan papushim, të falenderoj partnerët ndërkombëtarë, Presidentin e PPE Joseph Daul dhe Presidentin e Parlamentit Europian Martin Schultz, eurodeputetet Kukan dhe Fleckenstein, e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorin Donald Lu pa ndihmën e të cilëve sigurisht nuk do të kishim arritur deri këtu.

Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj qytetarëve shqiptarë, gazetarëve, analistëve, medias së lirë për mbështetjen që na dhanë duke besuar në drejtësinë dhe domosdoshmërinë e kauzës tonë kombëtare të dekriminalizimit.

Garantoj sot çdo qytetar, se paketa e dekriminalizimit, do të zbatohet pikë për pikë nga unë nga Partia Demokratike në çdo hap, me funksionarët e të zgjedhurit tanë.

Ky është një vullnet i padiskutueshëm, vullnet që e kemi provuar me shembuj konkret dhe në zgjedhjet e fundit lokale.

Për fat të keq, ka shenja të qarta se Edi Rama as nuk ka ndërmend të bëjë të njëjtën gjë.

Ndaj u bëj sot thirrje edhe socialistëve të ndershëm, të mos lejojnë që ata që paketa e dekriminalizimit i nxjerr si skarcitete jashtë qeverisjes, parlamentit dhe pushtetit vendor, të diktojnë e të bëjnë ligjin në familjen e tyre politike, sipas skemës që po zbaton sot Edi Rama.

Edhe sot që flasim, kjo skemë është në funksion.

Persona të dënuar, me precedentë të tmerrshëm kriminalë, diktojnë ose kanë marrë në dorë Partinë Socialiste në Lezhë, në Shkodër e Malësi të Madhe, në Krujë, Fushë-Krujë e Kurbin, në Has, Fushë-Arrëz, Pukë e Mirditë, në Kavajë, Lushnjë, Divjakë, Tepelenë e Këlcyrë. Dhe me gjasë, këtë Edi Rama ka ndërmend ta shtrijë në gjithë vendin.

Kjo dëshmon se ai nuk ndahet dot nga krimi, se pakti me krimin vazhdon.
Inkriminimi i Partisë, është njësoj i dëmshëm. Promovimi i banditëve, vrasësve e trafikantëve në parti, është garanci se ai stan atë bulmet do të nxjerrë.

Kjo sigurisht është metoda e Edi Ramës, kalkulimi i tij për zgjedhjet e ardhshme. Eshtë e qartë se me keqeverisjen e tij të mashtrimeve dhe dështimeve, me korrupsionin galopant në çdo nivel, me hajdutërinë e pafre, me kërbaçin e arbitraritetin, ai nuk garon dot, nuk përballet dot me kundërshtarin. Nuk ka as ide, as parime, as alternativë, as zgjidhje për ta shpëtuar vendin, pasi është në fakt vetë varrmihësi i tyre.

Të vetmen shpresë që ka, është se me banditët dhe kriminelët që ka strehuar e po transferon tashmë në parti, pasi ligji për dekriminalizimin i ka skarcuar e i nxjerr automatikisht jashtë qeverisjes, të vazhdojë të godasë votën e lirë, të kapë, dhunojë e manipulojë zgjedhjet.

Por ne, Partia Demokratike dhe qytetarët, nuk do ta lejojmë.

Beteja për votën e lirë është beteja tjetër e madhe e Partisë Demokratike, e shoqërisë, e mbarë vendit dhe e gjithë shqiptarëve. Ne do t’i prijmë kësaj beteje.

Sepse vetëm me votën e lirë nesër, do të shërohen të gjitha plagët që Edi Rama i ka shkaktuar vendit dhe qytetarëve.

Ndaj dua të falenderoj të gjithë qytetarët e Tiranës e më tej që ju bashkuan dje protestës para parlamentit. Protestat dhe mosbindja civile do të shtrihen në mbarë vendin.

Beteja për votën e lirë, për zgjedhjet e lira si zgjidhja e krizës së gjithanshme që ka mbërthyer Shqipërinë nuk do të ndalet.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Zjarret në aeroplanët e transportit të mallrave, dyshohet se u organizuan nga Moska

Zjarret në aeroplanët e transportit të mallrave, dyshohet se u organizuan nga Moska