Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për shtyp nga Selia. Basha ripërsëri akuzat e tij për çështjen e inceneratorëve dhe u shpreh se Lefter Koka është vetëm bishti i kësaj afere sipas tij, teksa kurbani i radhës po bëhet gati që të shpëtohen përgjegjësit e vërtetë.

"SPAK duhet të veprojë sot me arrestimet e përgjegjësve, mos të presë që Rama ti shkarkojë ministrat e më pas ti arrestojë. Edi Rama ka bërë gati kurbanin e radhës për këtë aferë, me shpresën që të shpëtojë vetë. Por s’ka shqiptar që nuk e di që një skeme e tillë korruptive, nuk bëhej pa miratimin e Edi Ramës", tha Basha.

Kreu i PD u shpreh se në këtë betejë ka edhe mbështetje të faktorëve ndërkombëtarë, partnerëve euroatlantik.

"Në situatën ku ndodhet vendi, në një Republikë bananesh ku nuk funksionon ligji, ku kemi një ndërhyrje të interesave mafioze. Beteja garanci të parë për fitoren ka se i del për Zot shqiptarëve, socialistë dhe demokratë. Paratë e shqiptarëve i vodhi kjo organizatë mafioze. Ne jemi të vendosur të mbrojmë interesin e shqiptarëve dhe për këtë na mbështet edhe faktori euroatlantik që do që politikanët e korruptuar të largohen", u shpreh kreu i PD.

Nënkryetarja Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë konferencës tha se kryeministri Edi Rama është mbrojtësi politik i aferës së inceneratorëve dhe se kjo është kontrata më diskriminuese.

"Në këtë dosje kanë ndodhur çudirat. Çdo gjë është bërë në shkelje të ligjit. Çdo gjë ndodh menjëherë, gjithçka mbyllet në 32 ditë. Të gjithë ministrat bien dakord që procedurat duhet t’i bëjnë Ministria e Financave, por brenda ditës ngrihet ministri dhe bën vendim qeverie", tha ajo.

Nesër 3 administratorët e 3 inceneratorëve pritet që të jenë në Komision Hetimor Parlamentar për të dhënë dëshmitë tyre.  Komisioni Hetimor për inceneratorët zhvilloi dje mbledhjen e radhës mes debateve të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës! Më pas deputetët opozitës, Belind Këlliçi, Ina Zhupa dhe Jorida Tabaku, dhe 4 deputetë të mazhorancës, Ermonela Felaj, Besjan Ajazi, Etjen Xhafaj dhe Antoneta Dhima shkuan për të parë nga afër Landfillin e Sharrës.

 

Video e plotë -Lulzim Basha në konferencë për shtyp

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:14
Projekti për trajtim të mbetjeve 37 euro për ton kur ishte kryebashkiak, Basha: Ishte studim, parashikonte të gjithë procesin! Tabaku: Sot shkon 41 euro për ton

1644754519_f27789e1705f499ca0b39d811a1c15a5.jpg

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i pyetur nga Report Tv për projektin që parashikonte menaxhim të mbetjeve me 37 euro për ton ndërsa sot në inceneratorin e Tiranës shkojnë për 29 euro për ton, iu përgjigj se atëherë parashikimi ishte që të përfshinte të  gjithë procesin.

"Kjo pyetje e ka marrë përgjigjen që para 5 viteve. Është çmontuar kjo gënjeshtër, Ata që ju kanë dhënë këto shifra ju kanë gënjyer. Ka pasur një studim fizibileti por përmirësimin e procesit të trajtimit të mbetjeve të qytetit të Tiranës, që parashikonte që kazanët të ishin nën tokë, të shkarkoheshin pastaj dhe të trajtoheshin sipas të gjithë strategjisë së bërë nga qeveria shqiptare me qeverinë gjermane. Kostoja që ju citoni është kostoja totale e mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve. Kostoja që ju citoni  për Inceneratorin është vetëm për incenerimin, nëse i shtoni edhe ato mbledhjen dhe transportonin shkon minimalisht dyfish. Këto i kam thënë edhe para 4 vitesh", tha Basha.

Ndërsa deputetja Tabaku sqaroi se sipas një raporti të KLSH sot shkon 41 euro për ton trajtimi i plotë, pasi 29 euro është e parashikuar vetëm për incenerim.

"Nuk ka një vendim por një studim fizibiliteti e bërë nga Banka Botërore. Sot sipas KLSH nuk është 29 euro për ton menaxhimi i mbetjeve, nëse i shtojmë edhe pagesat për 5 kompanitë shkon 41 euro për ton mbetje. Ndërsa ai studim thoshte se mund të bëhet me 37 euro për ton mbetje, nga marrja nga koshi i plehrave tek inkapsulimi. Këto po flasim për aferën më të madhe korruptive që është dëgjuar ndonjëherë", tha ajo.

Ora 12:56
Basha thirrje SPAK: Mos prisni dorëheqjen e ministrave dhe kryebashkiakëve, vërjani prangat në zyrë

 

Kryetari i PD, Lulzim Basha, i bëri thirrje SPAK që të vazhdojë hetimet për çështjen e inceneratorëve dhe të mos presë dorëheqjen e zyrtarëve për t'i arrestuar.

"Mos prisni që të japë dorëheqjen ministri i radhës por vërjani prangat në ministri, mos prisni që të japë dorëheqjen kryebashkiaku i radhës por vërjani prangat në zyrë. Do të kenë mbështetjen e gjithë shqiptarëve. Me këtë aferë është zbuluar afera më e madhe korruptive për të zhvatur të ardhmen e shqiptarëve", tha Basha.

Ora 12:52
Tabaku: Rama i dha mbrojtje politike çështjes së inceneratorëve! Kontrata më diskriminuese

Nënkryetarja Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë konferencës së përbashkët me kryedemokratin Lulzim basha tha se kryeministri Edi Rama është mbrojtësi politik i aferës së inceneratorëve. Ajo shtoi se KLSH dhe Ministria e Financave njohin se kjo është kontrata më diskriminuese, e cila nisi me 90 milionë euro dhe përfundoi me 430 milionë.

“Tani e dimë se Edi Rama di të lyejë me bojë. Çdo gjë nisi 6 vite më parë, kur PD foli për herë të parë. Dua ti kujtoj qytetarëve që nuk harrojnë, se PD dorëzoi në tetor-nëntor 2020 tre padi në SPAK. Arrestimi i Lefter Kokës, dy pikat e para që rëndojë ndaj tij, janë denoncim i PD. Inceneratori i Tiranës, pasi kolegët thanë se ai i Fierit dhe i Elbasanit janë të rëndë. Por mendoj se ky është më i rëndë. Duke analizuar dosjen e koncensioneve, tregoi se të gjithë ministrat, zv/kryetarja e Kuvendit, ministri Lefter Koka, kryetari i bashkisë së Tiranës, kryeministri janë të përfshirë në këtë aferë. Në këtë dosje kanë ndodhur çudirat. Çdo gjë është bërë në shkelje të ligjit. Çdo gjë ndodh menjëherë, gjithçka mbyllet në 32 ditë. Të gjithë ministrat bien dakord që procedurat duhet t’i bëjnë Ministria e Financave, por brenda ditës ngrihet ministri dhe bën vendim qeverie. Dhe i jep mbrojtje politike këtij procesi. KLSH dhe Ministria e Financave njohin se kjo është kontrata më diskriminuese. Nisi me 90 milionë euro, dhe përfundoi me 430 mln euro. Nga nesër do të nisim pyetjen e dëshmitarëve.”, tha Tabaku.

Ora 12:16
Basha për inceneratorët: U vodhën 430 mln euro, u morën nga hallet e shqiptarëve

 

Lulzim Basha në konferencën për shtyp sot nga Selia e PD tha se Qeveria ka vjedhur 430 mln euro nga shqiptarët me inceneratorët pasi sipas tij në asnjë nga 3 inceneratorët nuk bëhet asgjë.  

"430 milionë euro i kanë kushtuar shqiptarëve nga inceneratorë, para që i mungojnë shëndetësisë, prindërve për fëmijët e tyre, para që i mungojnë pensionistëve, që i mungojnë familjeve të hequra padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike. E qartë është sot se si përmes skemës së inceneratorëve u janë grabitur këto qindra milionë euro. Falë punës së anëtarëve tanë në Komisionin Hetimor çdokush mund të shohë tani se sa janë vjedhur paratë e shqiptarëve. Paratë janë paguar ndërkohë që puna nuk ka nisur.

A mund të kryejë një qeveri 17 veprime brenda një dite? A mund të paguheshin 35 mln euro për Inceneratorin e Tiranës kur nuk ka përfunduar as 50% e punës. Kandidatja aktuale për Bashkinë Durrës nga PS ka firmosur për 10 milionë euro dhuratë kompanisë së inceneratorëve. 10 milionë euro dhe Durrësi është u mbytur nga plehrat. A e mbani mend kush e urdhëroi pagesën nga Bashkia Durrës dhe Bashkitë e tjera? Sigurisht Edi Rama", tha Basha.