Basha-deputetëve: Lërini mëritë
në PD, të bashkuar kundër PS

Basha-deputetëve: Lërini mëritë<br />në PD, të bashkuar kundër PS
TIRANE - Kur mbeten edhe pak orë që Partia Demokratike të zyrtarizohet edhe në Parlament si opozita e ardhshme në këtë institucion, kreu i kësaj partie, Lulzim Basha po u jep deputetëve demokratë këshillat e fundit sesi duhet të funksionojë kjo parti tashmë jo si mazhorancë e Kuvendit. Burime pranë së djathtës theksojnë se ka qenë vetë kreu i Partisë Demokratike ai që ka takuar pjesë- pjesë deputetët përfshirë këtu edhe deputetët që janë zgjedhur për herë të parë në Parlament, për tu dhënë këshillat e para për harmoninë dhe bashkëpunimin që duhet të mbizotërojë në grupin parlamentar demokrat në Parlament.

“E djathta duhet të jetë më e bashkuar se kurrë, sidomos në Parlament kundër Partisë Socialiste”, mësohet se ka qenë dhe këshilla kryesore e kreut të partisë më të madhe në opozitë drejtuar deputetëtve që ai do të drejtojë në opozitë. Duket se ky qëndrim i tij vlen për të gjithë të djathtët e opozitës, ku dashur pa padashur ata janë ndarë në klane të caktuara. Ideja e bashkimit kundër mazhorancës duket se është motoja që pritet të përdorë Basha, për të shuar edhe mëritë mes të djathtëve, të cilat u evidentuan më së shumti edhe në zgjedhjet që u mbajtën në këtë parti për zgjedhjen e kreut të ri të saj.

Gjithësesi e hëna do të sjellë mbledhjen e parë zyrtare të grupit parlamentar demokrat, e cili do të drejtohet nga vetë kreu i PD. Mbledhja do të organizohet në selinë e re të kësaj partie, aty ku më parë ka qenë dhe SHQUP. E vështirë pritet që të jetë për Bashën detyra e dyfishtë që ka duke filluar që nga e hëna, drejtimi i partisë si dhe drejtimi i bashkisë më të madhe në vend. Gjithësesi ajo që do të përballet opozita e ardshme në parlament është pikërisht fakti se kryetari i Partisë Demokratike nuk do të jetë në Parlament, njësoj si opozita e shkuar, Partia Socialiste, ku përgjatë tetë viteve mungoi në debatet parlamentare zëri i Edi Ramës.

Po të hënën e djathta do të hyjë në seancën e parë parlamentare edhe me drejtuesin e ri të grupit parlamentar si dhe me emrin që do të propozojnë për nënkryetare të Kuvendit. Për herë të parë në historinë e saj, Partia Demokratike pritet që të trajtojë, ish-drejtuesin e saj historik, Sali Berishën si një anëtar dhe deputet të thjeshtë të saj, i cili nuk do të ulet më përkrah ish-nënkryetarit të partisë dhe kryetarit të grupit parlamentar, Astrit Patozit.

Berisha, i cili aktualisht është edhe pak orë kryeministri i vendit pritet që të dorëhiqet nga ky post të hënën. Vetëm pak orë para fillimit të seancës së parë të legjislaturës së re, Kryeministri në detyrë Sali Berisha pritet t`i drejtohet Presidentit të Republikës me kërkesën për dorëheqjen e tij dhe të kabinetit të kryesuar nga ai. Burime bëjnë të ditur se Shefi i qeverisë do t`i drejtohet të hënën paradite Kreut të Shtetit me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë, ndërsa pritet që gjatë 10 ditëve të ardhshme të dekretohet dhe të votohet qeveria e kryesuar nga Edi Rama.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim