Basha: Do bllokojmë parlamentin
debate të ashpra në grupin e PD

Basha: Do bllokojmë parlamentin<br />debate të ashpra në grupin e PD
TIRANË-Zyrtarisht demokratët kanë përcaktuar reagimin e tyre për seancën plenare të së enjtes. Kryetari i opozitës Lulzim Basha tha se PD do të bllokojë punimet e parlamentit pasi sipas tij maxhoranca po bën çdo përpjekje për të mos hyrë në fuqi ligji i dekriminalizimit duke kërkuar një tjetër ligj që e vë në zbatim atë dhe jo miratimin e një vendimi nga kuvendi për implementimin e tij.

“Qytetarët shqiptarë duhet ta marrin vesh se Edi Rama jo vetëm refuzon që të pezullojë Armando Prengën nga punimet e Parlamentit por tashmë ka depozituar në Kuvend një kërkesë ku refuzon kalimin e vendimit për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. Ai kërkon që ne në vend të zbatimit të këtij ligji sipas një vendimi që e përcakton vetë ligji në nenin 6 - pra ligji i dekriminalizimit në nenin 6 thotë që Parlamenti do të miratojë një vendim për të përcaktuar afatet, formularin e vetëdeklarimit etj - por tani deklaron se duhet një ligj tjetër për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit. Kërkon të ndalojë dekriminalizimin, në mënyrë që kriminelët t’i ketë në krah,” tha Basha.

Kreu i PD tha se kjo bëhet edhe në kohën kur Venecia solli konkluzionet e saj e që kërkon një drejtësi të pavarur dhe sipas Bashës rrëzon maxhorancën me projektin e saj. Por kryetari i opozitës tha se shumica nuk do të mund t’i shpëtojë reformimit të sistemit të drejtësisë.

“ Do të përballet me vendosmërinë tonë nesër në Parlament sikundër i jap fjalën që nuk do të shpëtojë dot nga një drejtësi e reformuar, nga një prokurori e reformuar, nga një kapacitet hetues për korrupsion në nivele të larta. Venecia ka folur qartë. Venecia na ka dhënë të drejtë. Herët a vonë Prokuroria Speciale Antikorrupsion do të ketë të bëjë me shkaktarin e kësaj krize të gjithanshme që quhet Edi Rama...” deklaroi kreu i PD-së.
 
Mbledhja e grupit parlamentar demokrat u zhvillua me dyer të mbyllura ndërsa mësohet se në diskutim janë përfshirë deputetët të cilët kanë shpalosur edhe opsionin e bojkotit të kuvendit e për të mos u kthyer më në parlament.
 
Burime konfidenciale thanë për Report Tv se më të ashpra në qëndrimet e tyre ishin deputetet Jozefina Topalli dhe Majlinda Bregu të cilat kërkuan të jetë një strategji e qartë dhe plotë e reagimit opozitar dhe për mënyrën e sjelljes së opozitës pas seancës së të enjtes.
 
Duke e konsideruar një protestë të panevojshme atë të grave demokrate, zonja Topalli mësohet të ketë thënë në grup se Partia Demokratike nuk është OJQ dhe s’mund të sillet si e tillë prandaj në zërin e saj kritik zonja Topalli është shprehur se protestat duhen bërë për problematikat që shqetësojnë shqiptarët.
 
Po ashtu mësohet se në të njëjtën linjë është shprehur dhe Majlinda Bregu e cila ka kërkuar strategji të mirëpërcaktuar dhe kauza të qarta për t’u kërkuar shqiptarëve të dalin në shesh, e këto kauza nuk mungojnë mësohet të ketë thënë Bregu. Por lideri Basha i është përgjigjur Bregut, duke i kujtuar asaj se ndodhen në mbledhjen e grupit parlamentar ku diskutohet politikisht dhe jo në emisionin e Fevziut apo Ballës.

Ndërsa deputetët kanë kërkuar një strategji të qartë për reagimin opozitar , Genc Ruli ka kërkuar që nëse vendoset për bojkot parlamentar atëherë ai të vijojë e të qëndrojë jo të thuhet pa arsye.

Prononcimi i plotë i Lulzim Bashës pas mbledhjes së grupit
Situata është e jashtëzakonshme dhe po përkeqësohet nga ora në orë. Qytetarët shqiptarë duhet ta marrin vesh se Edi Rama jo vetëm refuzon që të pezullojë Armando Prengën nga punimet e Parlamentit por tashmë ka depozituar në Kuvend një kërkesë ku refuzon kalimin e vendimit për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. Ai kërkon që ne në vend të zbatimit të këtij ligji sipas një vendimi që e përcakton vetë ligji në nenin 6 - pra ligji i dekriminalizimit në nenin 6 thotë që Parlamenti do të miratojë një vendim për të përcaktuar afatet, formularin e vetëdeklarimit etj - por tani deklaron se duhet një ligj tjetër për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit.

Ndërkohë që dje, në dhunim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi precedentin Kokëdhima, Këshilli i Rregullores dhe Mandateve përsëri refuzon të çojë në Gjykatën Kushtetuese Rakip Sulin, përfituesin e qindramijë eurove parave të gjakut, kërbaçit mbi shqiptarët nga banda e OSHEE-së të cilat ky i merr me lopatë si qera në shkelje dhe thyerje të Kushtetutës. Dhe siç e patë nga ana tjetër, në komisionet hetimore vazhdon në një formë apo tjetër bllokimi siç ishte rasti i djeshëm refuzimi i ish ministrit Cani si personi që ka dijeni për vjedhjen e të dhënave në serverin e Tatimeve.

Është pra një strategji e Edi Ramës për të goditur thelbin e marrëveshjes politike të Dhjetorit 2014 që i dha fund bojkotit të opozitës. Marrëveshjes politike të arritur me opozitën me ndihmën e Parlamentit Europian, të popullorëve dhe socialistëve europianë, që ka të bëjë me reforma kyç për vendin siç është dekriminalizimi që është përshëndetur jo më shumë se dy javë përpara nga Sekretari Amerikan i Shtetit në Tiranë.

Pyetja shtrohet pse ky provokim?! Dhe pse tani kur Komisioni i Venecias ka sjellë opinionin e dytë për Reformën në Drejtësi. Kjo është një lojë perfide e Edi Ramës me anë të së cilës ai kërkon ti shpëtojë një Reforme në Drejtësi. Ai kërkon ti shpëtojë Byrosë Kombëtare të Hetimit, jo nën Saimir Tahirin por nën Prokurorinë. Ai kërkon ti shpëtojë një drejtësie të pavarur sepse e di që një drejtësi e pavarur ka të paktën 12 shkaqe të njohura publikisht për ta marrë atë si të pandehur dhe për ta çuar para drejtësisë.

Në Grupin Parlamentar sot kemi diskutuar gjatë për këtë situatë. Dhe pas një diskutimi të gjatë por konstruktiv, të hapur e demokratik, vendimi është bllokimi i seancës parlamentare nesër nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nëse maxhoranca nuk reflekton.

Nesër është edhe afati i fundit për të kaluar aktin e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Nëse Edi Rama prapë refuzon të pezullojë ligjërisht, jo vullnetarisht, Armando Prengën, nëse Edi Rama dhe të tijtë refuzojnë t'ia dorëzojnë Gjykatës Kushtetuese të drejtën që vetë Kushtetuta dhe Gjykata e aserton për të gjykuar mbi mandatet e 3 deputetëve që kanë përfituar miliona pasuri publike të shqiptarëve, Koço Kokëdhimës, Rakip Sulit dhe Valentina Leskajt, nëse Edi Rama refuzon ti japë fund përpjekjes së tij mjerane për të ndalur të pamundurën, transparencën për çështjet ku kemi hetim parlamentar siç janë ato të serverit të tatimeve dhe të emërimeve dhe shkarkimeve në administratë, edhe njëherë zgjedhja është e Edi Ramës por me aktet e sotme Edi Rama duket se e ka bërë zgjedhjen.

Ai kërkon të ndalojë dekriminalizimin në mënyrë që me kriminelët që ka ardhur në pushtet dhe me të cilët po qeveris ti ketë në krah. Ai kërkon që milionat e shqiptarëve e taksave të shqiptarëve të vazhdojnë të përfundojnë në xhepat e ministrave të korruptuar, deputetëve në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligji të mos veprojë. Ai ligji që vepron për atë që lyen fasadën pa leje të mos veprojë kur këta të vjedhin milionat e shqiptarëve.

Do të përballet me vendosmërinë tonë nesër në Parlament sikundër i jap fjalën që nuk do të shpëtojë dot nga një drejtësi e reformuar, nga një prokurori e reformuar, nga një kapacitet hetues për korrupsion në nivele të larta. Venecia ka folur qartë. Venecia na ka dhënë të drejtë. Herët a vonë Prokuroria Speciale Antikorrupsion do të ketë të bëjë me shkaktarin e kësaj krize të gjithanshme që quhet Edi Rama.​

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'