TIRANE- Në ditën e “1 Qershorit”, kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur të urojë fëmijët nga shkolla e rindërtuar tërësisht “Eqerem Çabej”. Duke u shprehur se institucioni që ai drejton do të punojë për përmirësimin e kushteve për fëmijët dhe rritjen e përkujdesit ndaj tyre, kryebashkiaku Basha tha se investimet do të vijojnë në të gjitha shkollat e kryeqytetit.
 
“Pas një inspektimi të hollësishëm të ndërtesës së re, unë them se ky është një shembull që duhet ndjekur dhe do të ndiqet në çdo shkollë të re të kryeqytetit, në ato që po përfundojnë, në të tjera që janë në punë e sipër dhe në të tjera që prapë se prapë, shpresojmë t’i fillojmë me zhbllokimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, me shpresë në ditët e javët e ardhshme”, deklaroi Basha.
 
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shprehur vendosmërinë e tij, për të vijuar me përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e Tiranës, pavarësisht vështirësive me të cilat po përballet gjatë muajve të fundit.
 
“Puna për ta bërë Tiranën një qytet modern e europian, ku jetohet më mirë, mësohet më mirë, ka shanse më të mira për punësim dhe shijohet më mirë jeta vazhdon, pavarësisht vështirësive. Unë jam i vendosur, ditë pas dite, tullë pas tulle, shkollë pas shkolle, rrugë pas rruge, ta sjellim Tiranën dhe qytetarët e saj, gjithnjë e më pranë standardit europian, siç reflekton edhe sot shkolla e rindërtuar ‘Eqerem Çabej’” u shpreh Basha.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)