TIRANË - Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar zyrën e kryetarit të Bashkisë së Kamzës pas lirimit të tij nga gjykata e Apelit, ndërsa më pas ka festuar me Xhelal Mziu. Duke folur për median Basha tha se, se arrestimi i Xhelal Mziut, është bërë me prapavijë politike për të denigruar një figurë të zgjedhur me votë të lirë nga qytetarët.
 
“Si kryetar i Partisë Demokratike dhe i opozitës shqiptare, ndodhem sot këtu së bashku me kolegë të tjerë, për të takuar Kryebashkiakun e Kamzës dhe një nga figurat kryesore politike të Partisë Demokratike në Kamëz, Xhelal Mziu, pas marrjes së masës nga Gjykata e Apelit për t’i dhënë fund arrestit të paligjshëm që zgjati plot 24 ditë.

Me këtë rast dua të theksoj në mënyrë të prerë se Partia Demokratike, siç ka faktuar gjatë tetë viteve të qeverisjes së saj, siç kam deklaruar ditët e para të opozitës sonë, ka qenë dhe mbetet e angazhuar fuqimisht për shtetin ligjor, për shtetin e së drejtës, për demokracinë dhe në këtë kuadër ka qenë është dhe mbetet e hapur për çdo hetim dhe çdo proces sipas ligjit ndaj kujtdo”.

“Faktet tregojnë se mënyra se si Xhelal Mziu u ndalua, u shoqërua, u vu në masën e arrestit dhe paralelisht me këtë u ndërmorën masa dhe veprime antiligjore ndaj familjarëve të tij, bashkëshortes së tij, familjes së tij.

basha e mziu bashke ne kamze pas lirimit nga qelia te mziut me logo
(Foto: Kryetari i PD Lulzim Basha dhe Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu)
 
Fakti se paralelisht me këto u ngrit një fushatë e tërë shpifjesh e denigrimesh në adresë të tij dhe familjarëve të tij, e cila u faktua tërësisht e pabazuar, por e dirigjuar politikisht tregon se kemi të bëjmë jo thjesht me një shkelje, me një dhunim të ligjit, të garancive kushtetuese që ligji u jep jo vetëm kryebashkiakëve, por çdo qytetari shqiptar, në çdo cep të këtij vendi, por aq më shumë në rastin në fjalë fakton atë që kemi thënë gjithmonë, prapavijën e qartë denigruese politike dhe aksionin e përbashkët mafiozo-politik për të denigruar një figurë të zgjedhur për herë të dytë me votën e qytetarëve të Kamzës”, deklaroi Basha.

Sipas kreut të PD-së, Lulzim Basha, kjo që po ndodh nuk është “stereotipi i shtetit ligjor, i sundimit të ligjit, por është sterotipi i sundimit të urdhërave politike dhe për vënien e gjithçkaje nën kontroll politik”.

"Në thelb të këtyre veprimeve qëndron, për fat të keq, një stereotip i rrezikshëm që po konsolidohet falë mazhorancës së re dhe sjelljes së krerëve të kësaj mazhorance, që ky është stereotipi jo i shtetit ligjor, jo i bindjes së verbër ndaj ligjit, jo i sundimit të ligjit, po i sundimit të urdhrave politikë dhe i përpjekjes për të vënë gjithçka nën kontroll politik.
 
Në këtë kuadër nuk mund të mos shtoj se këtij stereotipi i shtohet edhe një stereotip tjetër paragjykues, por që në thelb ka frikën dhe pasigurinë që shkakton tek këta njerëz të papërgjegjshëm që, për fat të keq, sot janë përgjegjës për shtetin.
 
Entuziazmi i njerëzve liridashës i banorëve liridashës demokratë në shpirt, pavarësisht nëse kanë apo jo teserat e Partisë Demokratike këtu në Bashkinë e Kamzës", përfundoi deklaratën e tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)