“247 biznese të mbyllura javën e parë të janarit. 13 mijë të mbyllura gjatë vitit të kaluar, po të heqësh të shtunat e të dielat, i bie që janë mbyllur 50 biznese në javë. Edi Rama i ka shpallur luftë njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Rinia është në dëshpërim dhe 70% e atyre që largohen janë të moshës 19 deri në 35 vjeç. Fermerët shqiptarë asnjë kacidhe nuk kanë parë dhe asnjë mbështetje nga shteti” - u shpreh Basha.
Kreu i opozitës tha se pakti i Edi Ramës me krimin po shkatërron reformën në drejtësi për të mbrojtur pushtetin e vet, të cilin e bleu me paratë e drogës së Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit dhe të korrupsionit të ministrave të tij Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Ilir Beqja etj. Kryetari i Partisë Demokratike vuri në dukje se edhe emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm pa vetting dhe kundër Kushtetutës është pjesë e projektit të Edi Ramës për kontrollin politik të drejtësisë dhe mbylljen e dosjeve të krimit dhe korrupsionit qeveritar.
"Nuk ka për të patur reformë në drejtësi me Edi Ramën Kryeministër. Ndaj protesta e 27 janarit është edhe një thirrje për reformën në drejtësi, për drejtësinë e pakapur. Është një thirrje dhe një bashkim që Saimir Tahiri të shkojë në burg, siç duhet të shkojë në burg çdo ministër, çdo pushtetar vendor apo qëndror i faktuar në lidhje me krimin e organizuar dhe i korruptuar deri në palcë me paratë dhe asetet e shqiptarëve”- theksoi Basha.
Kreu i opozitës tha se 27 janari është dita e një rrugëtimi që nis me një goditje të fuqishme dhe do të vazhdojë me të gjitha format e kryengritjes popullore deri në çmontimin e qeverisë dhe aleancës me krimin, të kryesuar nga Edi Rama, i cili po e mban larg Shqipërinë nga Europa.
“Pjesëmarrja masive në protestën e 27 janarit është sinjali më i qartë, treguesi më i drejtpërdrejt për çdo shqiptar, për zullumqarët dhe për miqtë e Shqipërisë, se ora e Edi Ramës në Shqipëri ka marrë fund. Se një orë e re ka nisur të trokasë. Dhe se ky vend dhe qytetarët e këtij vendi nuk e pranojnë më aleancën me krimin dhe janë të vendosur t’i shkojnë deri në fund betejës për Shqipërinë europiane” - tha Basha.
Basha tha se largimi i Edi Ramës do t’i hapë rrugë një qeverie antimafia, e aftë për të zbatuar reformën në drejtësi, që nuk mbron, por ndëshkon kriminelët e veshur me pushtet dhe ministrat e korruptuar.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com