Amendamentet
Në këtë takim me gazetarët, Basha paraqiti 39 amendamentet e bëra nga Partia Demokratike të cilat ishin në kuadër të ndryshimit të komplet paketës fiskale dhe buxhetit vjetor të vitit 2014. Këto kërkesa ishin në koherencë me premtimet që Edi Rama bëri gjëtë fushatës elektorale përpara zgjedhjeve të 23 qershorit dhe sipas Bashës, ato duhet të mbahen duke shtuar se këto premtime ishin shkaku kryesor që PS-ja fitoi zgjedhjet. Kësisoj PD-ja kërkon që të ndryshoi komplet buxhetin dhe paketën fiskale nëpërmjet premtimeve të dhënë nga PS-ja ku kryefjalë e amendamenteve ishte shëndetësia falas dhe legalizimet falas.
“Këto amendamente përkojnë dhe me një parim tjetër, me premtimet elektorale të Edi Ramës, premtime që e sollën atë në pushtet në zgjedhjet e 23 qershorit. PD ka propozuar në Kuvend heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë të shportës. Buxheti i qeverisë dhe Paketa Fiskale nuk e ka, por ja se çfarë premtoi Edi Rama para 4 muajsh. Partia Demokratike propozon legalizim falas për zonat informale. Në këtë buxhet jo vetëm nuk parashikohet, por ALUIZNI do të vazhdojë të vjelë të ardhura.
Por ky ishte kryepremtimi i Edi Ramës, dy ditët e fundit të fushatës. Partia Demokratike propozon shëndetësi falas, me zero kontribute shëndetësore të paguar nga qytetarët shqiptarë. Në buxhetin e Edi Ramës nuk gjendet ky projekt. Të gjithë e mbajnë mend si megapremtimin e fushatës, luftën e madhe që u bë për të bindur shqiptarët që kjo jo vetëm nuk ishte e mundshme, e realizueshme, por premtimi i parë që qeveria do të mbajë. Jo vetëm që nuk i ka hequr kontributet shëndetësore por i ka rritur 4 deri në 8 herë”, theksoi Basha.
DISA PREJ AMENDAMENTEVE TE PD-SE
•Heqja e plotë e TVSH-se për energjinë elektrike për të gjithë qytetarët shqiptare.
•Rritjen e nivelit të të ardhurave për punonjësit me pagë deri në 300 mijë lekë të vjetra.
•40 mijë lekë më shumë në muaj ose 500 mijë lekë në vit për mësuesit.
•Mos rritjen e taksës së propozuar për banesat e ndërtuara para vitit 1993.
•Përjashtimi nga tatimi për të ardhurat për të rinjtë e sapopunësuar për 5 vitet e para.
•Mbajtja e pandryshuar e tatim fitimit për bizneset me xhiro më të lartë se 8 milionë lekë.
•Pesëfishim të investimeve të shtetit për të gjithë fermerët shqiptare dhe gjithashtu kërkojmë që investimet ne infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit te jene ne masën 40 milionë dollarë (1/4 e premtimit prej 160 milionë dollarësh ne 4 vitet e qeverisjes).
•Rritje me 0.53% të PBB-së, për sektorin e arsimit.
•Shpërblim fund-viti për çdo pensionist, të paktën sa gjysma e vlerës së pensionit mujor
•Ne kërkojmë pagë të 13-të për çdo punonjës të administratës shtetërore, duke rritur fondin e veçantë të pagave
•Tatim fitimi i thjeshtuar për sipërmarrësit e rinj, nga mosha 18-25 vjeç, të jete zero.
•TVSH-ja për shërbimet shëndetësore të jete zero, jo vetëm për ilaçet por të gjitha shërbimet shëndetësore.
•Heqje reale e taksës së biznesit të vogël, dhe jo zëvendësim i saj me taksën e thjeshtuar të fitimit.
•Dyfishim të investimeve të qeverisë për infrastrukturën vendore.
•Legalizimet falas ashtu siç është premtuar në fushatën elektorale
Shkrimi u publikua sot (28.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)