Basha fton amerikanët për investime

Basha fton amerikanët për investime
WASHINGTON - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, në vijim të vizitës në SHBA është takuar me Zëvendës - Ndihmës Sekretarin e Departamentit Amerikan të Tregtisë për Europën dhe Azinë Jau Burgess. Në këtë takim është diskutuar për mundësinë dhe mënyrat e mbështetjes financiare të investitorëve amerikanë, të cilët duan të shtrijnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Sipas njoftimeve zyrtare Zëvendës - ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Tregtisë garantoi Bashën, se do të shikojë me kujdes të gjitha mundësitë, për të mbështetur dhe nxitur kompanitë amerikane të investojnë në Shqipëri, ndërsa nënvizoi se investimet amerikane në Shqipëri janë histori suksesi dhe motivim për kompani të tjera, për të investuar në Shqipëri e veçanërisht në Tiranë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim edhe me Zv.presidenten ekzekutive të Korporatë së Investimeve Private Amerikane jashtë vendit, OPIC, Mimi Alemayehou.
Zonja Alemayehou u shpreh e gatshme për të asistuar kompanitë amerikane që duan të investojnë në Shqipëri. Deri tani nuk ka patur ndonjë projekt me Shqipërinë, por shprehu gadishmërinë e OPIC, për të shqyrtuar mundësitë e angazhimit dhe mbështetjes, në zbatimin e projekteve të rëndësishme, për jetën e një qyteti, të parashtruara nga Basha.
Në këtë takim u ra dakord për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës, për të garantuar mbështetjen financiare të kompanive amerikane, të interesuara për tu bërë pjesë e realizimit të projekteve strategjike të Bashkisë së Tiranës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim me biznesmenë amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff.
Basha ka ftuar biznesemenët ta shohin Tiranën, si mundësi të mirë për të shtrirë investimet e tyre, duke i garantuar se Bashkia e Tiranës është e gatshme të ndërmarrë çdo masë, për të garantuar suskesin e çdo investitori:
“Na duhet ndihma juaj dhe ju ndodheni këtu dhe jeni ndër brezat e parë që keni dhënë modele të vet-bërjes së suksesit dhe sigurisht për këtë vlen të përmendim edhe mjedisin në të cilin keni vepruar, e cila sigurisht që ka lidhje me suksesin që ju keni arritur dhe për këtë ju garantoj se po bëj gjithçka, për ta kthyer Tiranën në një model mundësish, përmes shkallës më të lartë të lirisë dhe shanseve të barabarata, si dhe konkurrencës së ndershme dhe për këtë na nevojitet modeli juaj i suksesit, sidomos prania juaj drejt për së drejti si dhe ndihma dhe këshilla juaj do të ndihmojë të çojmë përpara qytetin të cilit i përkasim”, tha ai.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi