TIRANE- Kryetari i ri i Partisë Demokratike është në përpjekje të ethshme për të krijuar në bllok sa më të fortë opozitar, përballë një të majte të bashkuar shumë të fuqishme. Duke ecur në shinat e pëprjekjeve të kryeministrit në detyrë, njëherësh ish-kryetarit të PD Sali Berisha, i cili përpara zgjedhjeve kishte ftuar zyrtarisht kreun e Frymës së Re Demokratike, njëherësh ish-nënkryetar të PD dhe ish-President të Republikës, Bamir Topi për koalicion parazgjedhor, por dhe duke respektuar platformën kokurruese për kreun e PD ku ka deklaruar se misioni i tij është bashkimi i së djathtës, kreu i ri i PD Lulzim Basha nuk ka ngurruar të dërgojë negociatorët në drejtim të kreut të FRD Bamir Topi për të krijuar një aleancë në opozitë me të.

Burime të besueshme brenda selisë blu saktësojnë se tashmë janë realizuar kontaktet e para mes interlokutorëve të Bashës dhe përfaqësuesve të Topit, për të përgatitur takimin mes dy liderëve që do të sheshonte përfundimisht mosmarrëveshjet mes tyre për të krijuar bazën e një bashkëpunimi afatgjatë mes dy partive të djathta, tashmë në opozitë, në rrugën e tyre të vështirë drejt pushtetit. Mësohet se në parim nuk ka pasur kundërshtime për një bashkëpunim efektiv të së djathtës në opozitë, pasi dhe vetë kreu i FRD njëherësh dhe ish-president i vendit Bamir Topi kishte deklaruar se duke qënë një parti përfaqësuese e së djathtës, s’përjashtonte bashkëpunimin me PD, por me kushtin e vetëm, pa Berishën.

Këtu është ngërçi në këtë fillim nëegociatash, pasi Topi nuk është ende i bindur se Berisha është shkulur nga drejtimi dhe dominimi i PD dhe për këtë kërkon fakte reale, në mënyrë që të afrojë bashkëpunimin e partisë që ai drejton, në një koalicion të përbashkët opozitar me demokratët, parti nga ku vetë Topi ka qënë për shumë vite numri dy i saj. Një ndër njerëzit që po negocion mes Topit dhe Bashës sipas burimeve në PD mësohet se është ish-drejtori i kabinetit të Berishës dhe deputeti i zgjedhur Oerd Bylykbashi, i cili pavarësisht përplasjeve që lidershipi i PD ka pasur me Topin, ka ruajtur marrëdhëniet e mira me këtë të fundit. Ndërkohë që ende nuk ka një rezultat final, ajo që bën më real fillimin e negociatave për një aleancë opozitare mes PD dhe FRD është dhe shtyrja e mbledhjes së forumeve të partisë së kryesuar nga Topi për të bërë analizën e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, ku pavarësisht se nuk mori asnjë deputet, FRD mori afër 30 mijë vota, jo pak për një parti të re.

Nga ana tjetër Basha nuk ka përjashtuar nga negociimi as Aleancën Kuq e Zi të Kreshnik Spahiut. Duke kapërcyer në këtë mënyrë dhe hendekun e krijuar gjatë afër dy viteve që lëvizja dhe partia e Spahiut kishte krijuar me PD, që udhëhiqej në atë kohë nga Berisha dhe ishte e mbushur me përplasje, akuza madje dhe procese gjyqsore. Basha ka vendosur t’i kapërcejë në funksion të bashkimit të së djathtës.

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)