TIRANE- Kryetari i grupit të Partisë Demokratike Lulzim Basha  i kërkon mazhorancës t'i hapë rrugë komisionit hetimor për lëvizjet në  polici. Basha thotë se PD do të ngulmojë në këtë kërkesë dhe betejën do ta vazhdojë edhe në seancën e nesërme në parlament.

“Kjo është një ditë tjetër e zezë e shumicës arbitrare Rama-Meta. Është provë e re forcës së kryeministrit mbi forcën e ligjit.  Është ujdi mafioze për të fshehur në 7 çelësa të vërtetën e shkakimeve antiligjore në policinë e shtetit, e cila është më e rëndë nga ajo që kemi denoncuar ne. Ky është komisioni i dytë i rrëzuar. Nuk mund ta përcaktojnë ata të drejtën e opozitës për të ngritur një komision hetimor. Këtë e cakton Kushtetuta. Hapni rrugë për komision hetimor merrni pjesë dhe hapni rrugë për hetimin. Opozitën nuke ndaloni dot kurrë me asnjë mjet. Nëse Kuvendi katandiset siç po katandiset opozita nuk do të harxhojmë asnjë ditë për t’u bërë farsë e kësaj masakre por do të vijojë të jetë me qytetarët.”- tha Basha në fjalën e mbajtur para deputetëve të PD-së para se të nisë mbledhja me dyer të mbyllura të këtij grupi.

"Opozitën ju nuk e ndaloni dot kurrë, me asnjë mjet; Opozita ka përcaktuar botërisht politikën e fokusimit në aulën e Kuvendit të Shqipërisë, por në rast se Kuvendi do të katandiset siç po katandiset prej kësaj qeverie në gijotinën e ligjit dhe kushtetutës, opozita nuk do të harxhojë asnje ditë për tu bërë fasadë e kësaj farse dhe masakre, por do të vijojë misionin e saj pranë qytetarëve dhe me qytetarët", deklaroi Basha gjatë fjalës së tij.

Basha u shpreh se  integrimi europian kërkon bashkëpunim me opozitën dhe jo kundërshtim.
 
“Rama e Meta duhet ta dijnë se nuk shkohet në Europë me arrogancë duke goditur konsensusin, Kushtetutën dhe duke hedhur në erë urat e bashkëpunimit me opozitën. Nuk shkohet në Europë kundër opozitës, por shkohet me të", u shpreh Basha.
 
FJALA E PLOTE KREUT TE PD, LULZIM BASHA
Basha: Nuk shkohet në Europë kundër opozitës, shkohet me opozitën
 
Të nderuar deputetë,
 
Duke vlerësuar qëndrimin tonë konstruktiv në lidhje me integrimin europian të vendit dhe duke i kujtuar zotit Rama se jo gjithmonë i ka mbështetur hapat për integrimin në BE kur ishte në opozitë, aleati ynë i madh stategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kërkoi këto ditë qeverisë shqiptare të gjejë një mënyrë të bashkëpunojë me opozitën. “Dhe ka një farë kohë për ta berë një gjë të tillë, por jo dhe aq shumë. Pra duhet vepruar sa më shpejt”. Ishte mesazhi.
 
Konteksti i kësaj këshille kaq të hapur dhe miqësore lidhet me shkakun kryesor e të vetëm të refuzimit të statusit të vendit kandidat në BE në muajin dhjetor, që është problematika e ngarkuar me tensione dhe konflikte antiligjore të qeverisë “Rama-Meta” me opozitën.
 
Miqtë amerikanë, mbështetësit dhe lobuesit me të fortë që kemi patur në histori për t’u bërë pjesë e familjes së kombeve të lira, e këshillojnë qeverinë shqiptare të heqë dorë pa humbur kohë nga politika e deritanishme e konfliktit me opozitën; e këshillojnë të vërë në veprim menjeherë politikën e respektit ndaj nesh, ndaj grupit tonë parlamentar dhe aleatëve tanë opozitarë. E gjthë kjo në njohjen e të drejtave ligjore kushtetuese dhe përgjegjesive të ndërsjellta politike në shërbim të demokracisë.
 
Për t’u bërë të besueshëm në Bruksel, kryeministri shqiptar dhe shumica e tij duhet piksëpari të kapërcejnë vetveten, pra të kapërcejnë kujtimin dhe imazhin e forcës bllokuese kur ishin në opozitë. Por nuk mjafton. Rama dhe Meta duhet ta dinë se nuk shkohet në Europë me arrogancë, duke goditur konsensusin, duke goditur ligjin dhe kushtetutën, duke goditur institucionet e pavarura, duke hedhur në erë urat e bashkëpunimit me opozitën. Nuk shkohet në Europë kundër opozitës. Shkohet me të.
 
Ky është kuptimi dhe leximi i mesazhit amerikan dhe europian.
Në të vërtetë, duke përfshirë në analizën e tyre elementin kohë, duke theksuar për qeverinë se nuk ka shumë kohë, miqtë e Shqipërisë kanë nxitur e pritur një gjest apo një akt të shpejtë të reflektimit pozitiv nga ana e qeverisë në drejtim të shtensionimit të marrëdhënieve me opozitën.
 
Qeveria shqiptare, siç e dimë, reagoi që të nesermen, por në drejtimin e kundërt, në drejtimin e gabuar, në drejtimin e përplasjes së shtuar dhe konfliktit të shtuar me Partinë Demokratike, me grupin e saj parlamentar, me aleatët tanë në opozitë.
 
Ditën kur mediat shqiptare i bënë të njohur publikut të gjerë alarmin e sekretarit të shtetit Kerry për rrezikimin e demokracisë në Ballkan nga kapja e instiucioneve dhe blerja e pushtetit dhe në të njëjtën ditë edhe qëndrimet dhe sugjerimet e departmentit të Shtetit për qeverinë shqiptare, dyshja Rama-Meta, në një akt sfide dhe karshillëku të trefishtë, ndaj kushtetutës së vendit, opozitës shqiptare dhe partnerëve tanë strategjikë, paralajmëruan rrëzimin e kërkesës së grupit tonë parlamentar për ngritjen e një komisioni hetimor që do të hetonte dhe duhet të hetojë- sepse nuk jemi tërhequr e nuk do të tërhiqemi deri në fund nga nisma jonë- ligjshmërinë e emërimeve, shkarkimeve dhe trasferimeve në policinë e shtetit dhe pasojat e tyre në situatën e rëndë të rendit dhe sigurisë në vend.
 
Kjo është një ditë tjetër e zezë e këtyre pesë muajve të instalimit në pushtet të shumicës arbitrare Rama-Meta.
 
Ky është një dhunim tjetër flagrant dhe poshtërues i kushtetutës, një provë e re force e kryeministrit mbi forcën e ligjit.
 
Kjo është një ujdi mafioze e menduar dhe organizuar për të fshehur në shtatë çelësa të vertetën e emërimeve kriminale dhe shkarkimeve antiligjore në policinë e shtetit, e vërtetë e cila me sa duket, është shumë më e rëndë se sa ajo që kemi ekspozuar deri sot me informacione dhe me denoncimet tona publike.
 
Kjo është ndërkohë një përpjekje tjetër e mjerë dhe provokuese zotit Rama për të penguar Partinë Demokratike dhe opozitën në misionin e saj, në vendosmërinë e saj për të mbrojtur me çdo çmim liritë, shtetin ligjor dhe demokracinë, për të kërkuar pa kompromise trasparencën dhe llogaridhënien e qeverisë para opozitës dhe publikut.
 
Ky është komisioni i dytë që rrëzon kjo shumicë e kapur pas pushtetit me mendësinë e një hordhije.
 
Nuk mund ta përcaktojnë ata të drejtën e opozitës për të ngritur komision hetimor.
 
Këtë të drejtë e njeh kushtetuta e vendit dhe ne, opozita, nuk njohim asnjë forcë tjetër dhe asnjë autoritet tjetër që mund të dalë mbi të.
 
Nëqoftëse një grusht oligarkësh në krye të kësaj shumice kanë ndermend dhe po punojnë natë e ditë për të likujdur për interesat e tyre të errta ligjin, kushtetutën, parlamentin dhe mundësisht edhe opozitën, ne u themi sot:
 
Hiqni dorë, tërhiquni, hapini rrugën komisionit hetimor të kërkuar nga opozita, merrni pjesë në komisionin hetimor të kërkuar nga opozita, hetoni dhe ju bashkë me ne, kërkoni dhe ju bashkë me ne të kthehet ligjshmëria në policinë e shtetit, si kusht sine qua non për rikthimin e rendit në parametrat e normalitetit.
 
Opozitën ju nuk e ndaloni dot kurrë, me asnjë mjet; Opozita ka përcaktuar botërisht politikën e fokusimit në aulën e Kuvendit të Shqipërisë, por në rast se Kuvendi do të katandiset siç po katandiset prej kësaj qeverie në gijotinën e ligjit dhe kushtetutës, opozita nuk do të harxhojë asnje ditë për tu bërë fasadë e kësaj farse dhe masakre, por do të vijojë misionin e saj pranë qytetarëve dhe me qytetarët.
 
Më lejoni në emrin tuaj, tu drejtohem qytetarëve, të nderuar deputetë,
 
Le te ndajmë që sot me qytetarët shqetësimet tona për rendin publik.
 
Ne i kthehemi dhe rikthehemi këtij problemi sepse mungesa alarmante e rendit po asfikson vendin, po e kthen mbarë shoqërinë në një fushë të minuar, ku rastësia dhe vetmbrojtja kompensojnë me sa është e mundur atë që duhej të ishte e të jetë siguria publike e garantuar nga policia e shtetit, nga shteti.
 
Në çdo familje shqiptare, në çdo vend ku punohet e jetohet, në çdo bisedë të lirë mes njerëzve problemet e rendit janë kthyer në çështje të ditës dhe orës në formën më të keqe, në formën e ankthit dhe pasigurisë së përgjithshme për jetën, pronën, pasurinë, punën, fëmijët, mësimin, e tjerë e tjerë.
 
Statistikat flasin. Por situata që po përjeton Shqipëria në këtë periudhë mund të përkufizohet si gjendje e përgjithshme pasigurie dhe kjo, nga një pikpamje, është edhe më e rëndë se statistikat, sepse ka si pasojë një denatyrim të jetës njerëzore.
 
Rendi i tronditur në këtë shkallë nuk ra dhe nuk mund të binte si rrufe në qiell të kthjellët.
 
Rendi i tronditur në këtë shkallë është pasqyra më e saktë e një qeverie së cilës i mungon elementi bazë i qeverisjes së mirë- përgjegjësia; është produkt i qasjes së saj thellësisht të gabuar në lidhje me përvojat dhe praktikat standarte të mbajtjes së rendit në demokraci.
 
Nuk është rastësi që ekonomia dhe rendi i janë përgjigjur me përkeqësim instalimit në pushtet të qeverisë Rama-Meta, në kundërshtim kjo me zakonet europiane dhe shqiptare të rrotacionit, që si rregull sjell kurdoherë impulse të reja në të dyja këto fusha.
 
Ky përkeqësim ka disa shkaqe për të cilat opozita ka folur e në të cilat duhet të thellohemi për të përcaktuar qëndrimin tonë sa më efektiv dhe aksion tonë politik sa më efikas në parlament dhe jashtë tij. Po veçoj dy prej shkaqeve kryesore të rrafshit makropolitik, nga të cilat rrjedhindhe burojnë të tjerat.
 
- Së pari, sindromën e tyre të njohur të vitit zero edhe në institucionin e policisë së shtetit, në një kohë kur pikërisht kjo polici, policia shqiptare, me problemet e saj, me mungesat e saj, me pëkushtimin dhe atdhetarinë e spikatur të mijëra policëve dhe oficerëvë të çdo grade dhe shkallë, ka arrestuar e çuar para drejtësisë me fakte të pakontestueshme bandat më të rrezikshme që populli i njeh mirë; kjo polici kontribuoi në plotësimin e standarteve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe ishte një subjekt kyç i reformave kompekse bashkohore që çuan në liberalizmin e vizave për shqiptarët.
 
Në këtë trend mori jetë edhe një nga reformat më thelbësore, pavarësisa e policisë së shtetit, në modelin e policive të vendeve europiane, që ajo të përmbushë kurdoherë detyrat e saj, e pandikuar nga lufta politike e partive apo nga nga rrotacionet e pushtetit.
 
Nuk kemi thënë e nuk themi kurrë se policia e shtetit në periudhën e qeverisë sonë ishte perfekte. Rendi është betejë, që nuk mund të mos ketë zikzaket e veta. Çdo qeveri ka mundesi të sjellë të reja dhe përmirësime edhe në këtë fushë.
 
Por çfarë bënë? Në vend që të silleshin si shtetarë seriozë, që marrin stafetën për ta çuar më përpara me energji të reja, aplikuan mënjëherë menjeherë vitin zero, moton e tyre “ një gjë që nuk e njohim ne, nuk ekziston”.
 
Mbi ketë bazë nxorrën sëpatën e madhe të raprezaljes dhe zhbërjes në një sektor shumë delikat, siç është rendi, ku duhej të mateshin mirë përa të hynin. U sollën dhe vazhdojnë të sillen me mentalitetin e një hordhije, që nuk kujdeset ku do t’i dalë tymi.
 
Zhdukën me një të rënë të lapsit gjithë kupolën drejtuese të policisë së shtetit, çfarë nuk kishte ndodhur kurrë më pare.
 
Eliminuan struktura të tëra të ngritura në bashkëpunim me partnertët tanë ndëkombëtare. Hoqën me urdhra të paligjshëm qindra profesionistë. Sollën militantët, sollën numëruesit e Partisë, sollën klientelën. Sollën edhe individë me precedentë penalë dhe me rekorde në fushën e krimit, duke dhënë përmes tyre mesazhin ogurzi se policia nuk është më vendi ku krimi luftohet, por ku krimi punësohet. E panë rendin si një vend për të shpërblyer militantët, për të vënë para. Dhe ja ku kanë janë tani me kupolën politike të policisë së tyre, që vjen vërdallë jo duke e luftuar por duke u xhiruar nga krimi dhe pasiguria e përgjithshme.
 
E kemi bërë dhe vazhdojmë ta bëjmë qartë për publikun dhe për miqtë tanë ndërkombëtarë. Ne nuk mbrojmë asnjë lloj status quoje në kuptimin negativ të fjalës, ne nuk mbrojmë askënd njeri që ka bërë shkelje të provuara në një proces të rregullt gjyqsor. Por ne mbrojmë policinë e shtetit, ashtu siç përcaktohet, siç ekziston e duhet të jetë në bazë të ligjit të saj organic dhe Kushtetutës.
 
Ne mbrojmë ligjin, Kushtetutën, demokracinë.
 
- Faktori i dytë ka të bëjë me paligjmërinë kostante. Në pikpamje të ligjshmërirsë qeveria nuk është përballë paligjshmërisë dhe krimit, siç duhet të jetë, por është në krye. Shkarkimet dhe emërimet e reja në kupolën e policisë së shtetit janë të paligjshme. Ministri i Brendshëm i Edi Ramës ka asgjësuar de fakto ligjin për policinë e shtetit. Kryeministri u ka vënë shkelmin disa herë ligjeve, konsensusit dhe deri kushtetetuteës për të avancuar arbitraritetin e tij. Në këto kushte, të vepruarit e kësaj qeverie me parimin bëni si them unë e mos bëni si bëj unë, nxisin paligjshmërinë në shkallë të gjerë, për rrjedhim edhe krimin dhe kriminalitetin.
 
Në të vertetë, një qeveri kampione e paligjshmerisë e ngre në sistem krimin dhe ky është problemi i madh që kemi sot e më të cilin po përballemi e duhet të përballemi me kthjelltësi dhe kurajo.
Krimi ka qenë dhe mbetet gjithnjë armiku i rendit publik, i lirive dhe të drejtave njerëzore, i të drejtës për jetën në radhë të parë, i konkurencës dhe i vlerave të tjera të shoqërisë së hapur.
 
Por krimi i ngritur në sistem, krimi që manifestohet në formën e blerjes së votës dhe autoritetit publik, krimi që njëhsohet me qeverisjen dhe vetë strukturat e rendit, është atentati më i madh mbi vetë demokracinë.
 
Mbrojtja e demokracisë është misioni ynë. Ne jemi të bindur se shumica dërrmuese e shqiptarëve na mbështet në ketë mision. Nuk e kemi vetëm fjalë këtë, edhe pse jemi opozitë dhe fjalën e kemi armën tonë kryesore në Kuvend e kudo. E kemi e duhet ta kemi edhe veprim politik.
 
Prandaj kemi kërkuar e ngulmojmë për ngritjen e komisionit hetimor. Prandaj kemi kërkuar dhe ngulmojmë për kthimin e ligjjshmërisë në policinë e shtetit. Kjo është detyra jonë si opozitë parlamentare.
 
Po nuk e bëmë ne, nuk ka kush ta bëjë.
 
Po u penguam nga qeveria për ta bërë ne, nuk ka kush ta bëjë.
 
Nuk ka recetë që konkuron ligjin në fushën e rendit.
 
Me ketë bindje, që duan ta ndajmë me gjithë njerëzit e lirë dhe të mençur të Shqipërisë, opozita do ta vazhdojë luftën , duke filluar me seancën e neserme që duhet ta kthejmë në një arenë të madhe të ndeshjes së ligjit me me antiligjin, në një aulë të gjyqit të ligjit ndaj antiligjit, që nuk mund të marrë peng demokracinë dhe shqiptarët.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)