TIRANE -  Lideri i ri Partisë Demokratike, njëherësh edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në mënyrë antiligjore, ka vënë në dispozicion punëtorët dhe automjetet e Bashkisë për të hequr simbolet e fundit nga ish-godina historike e Partisë Demokratike në rrugën “Murat Toptani” . 

Aksioni për të hequr logon dhe flamujt nga ish- selia e PD ka nisur rreth orës 13:00 të ditës së djeshme.
 
Në ambientet brenda selise së vjetër kanë mbetur ende sende pa u zhvendosur. Sipas burimeve brenda Partisë Demokratike, zyrtarë që kanë zyrat në selinë e vjetër do të vazhdojnë të qëndrojnë edhe për disa ditë të tjera në këtë godinë, pasi selia e re e demokratëve,  ish-Shtëpia Qendrore të Ushtrisë, nuk është ende gati, pasi po punohet për rikonstruktimin e plotë të saj. 

Në shtëpinë e re të demokratëve është menduar edhe një zyrë e posaçme për ish-liderin historik të Partisë Demokratike, Sali Berishën. 

E megjithatë, nga një vëzhgim i televizionit “A1Report!” në këtë godinë,  e cila është e pesta për demokratët, nuk janë vënë re lëvizje të zyrtarve.
 
Siç duket dhe nga pamjet, disa rikonstruktime në ambientet e jashtme të ish- SHQUP-it, kanë përfunduar, si ndriçimi , sinjalistika në rrugë apo lyerja e kangjellave me ngjyrë blu e të bardhë, ashtu siç është dhe simbolika e kësaj force politike.

Vendimi, fillimisht i fshehtë i qeverisë në ikje, për zhvendosjen e selisë së Partisë Demokratike nga godina e vjetër në ish-Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, shkaktoi debate të forta në grupet e interesit, ndërsa pritjen e parë në selinë e re, Lulzim Basha ia rezervoi ambasadorit amerikan të akredituar në Shqipëri, Aleksandër Arvizu. 

hiqen logot e pd
(Në foto, simbolet e PD-së duke u hequr nga godina e vjetër e PD)
hiqen logot e pd
Redaksia online
(arsh/sg/shqiptarja.com)