TIRANE -  Kryebashkiaku i Tiranës, njëherësh kryetar i PD-së, Lulzim Basha ka shprehur sot gëzimin e tij që puna për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës ka nisur për herë të parë, duke u kërkuar gjithashtu, akuzuesve të tij, që të paktën të shprehin pendesë për atë që nuk e bënë vetë.

Kështu, këtë mbrëmje, për të tretën herë radhazi si kryebashkiak, Basha shtroi iftar për të respektuar jo vetëm komunitetin mysliman në muajin e Ramazanit, por të gjitha komunitetet fetare të Shqipërisë që kanë harmoni dhe paqe ndërmjet tyre. Në darkë merrnin pjesë drejtuesit e komuniteteve, ambasadorë të huaj, deputetë e etj.

Basha tha: " Ky muaj i sakrificës është edhe një muaj reflektimi. Ndaj më vjen shumë mirë që jemi mbledhur sot në këtë iftar, ndryshe nga iftari i vitit të kaluar, ndërsa kemi hedhur hapa shumë të rëndësishëm drejt kthimit në realitet të projektit më të madh të komunitetit dhe besimtarëve myslimanë, ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës.

Ky është një lajm i shumë pritur për besimtarët e qytetit tonë, për besimtarët mysliman, besimtarët e zotit në tërësi dhe është një drejtësi e vënë në vend.

Si Kryetar i Bashkisë së Tiranës ndihem po kështu mirë, sepse vendimmarrja për ndërtimin e Xhamisë se Madhe të Tiranës kaloi nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës,  u dëgjuan jo vetëm zëri i komunitetit mysliman, ndër më kryesorët në këtë vendimmarrje, por edhe zëra të tjerë të qytetit dhe të shoqërisë.

Në këtë muaj të shenjtë,"- përfundoi ai, - "uroj që edhe ata që deri dje ishin përgjegjës për mungesën e xhamisë për shumë vite dhe që sot lëshojnë gjithfarë akuzash, të reflektojnë dhe të gjejnë kurajon dhe pendesën për të kërkuar ndjesë ose të paktën të lënë komunitetin mysliman dhe mbarë besimtarët e kryeqytetit t’i gëzohen punës, të fryteve të kësaj pune, xhamisë së re, e cila pas 23 vitesh liri po fillon të jetë një realitet i prekshëm për ta."

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)