Kryeministri Edi Rama mblodhi rreth 6 mijë punonjës të Bashkisë së Tiranës, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.  Në takimin e mbajtur në sheshin ‘Skëndërbej’ u shfaq një dokumentar që dëshmon transformimin e Tiranës ndër vite, me pamje si ka qenë që prej ’90 deri tek ndryshimi që ka pësuar sot.

Një pasazh i vogël nuk mungoi për Lulzim Bashën, i cili mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës më 2011 deri 2015, moment të cilin me ironi PS kishte zgjedhur ta shfaqte si një kryetar që fjeti gjumë.

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, reagoi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke ka publikuar një foto të Ramës me ish-zyrtarët gjatë qeverisjes së tij në burg dhe ironokisht shkruan se as dremitjen më të vogël nuk ma prishin këto batutat e lodhura me gjumin.

Sipas Bashës, kryeministri e quan vjedhjen sukses aq sa mblidhet si vullnetarët e Enverit në këtë 20 shkurt, për të mbrojtur monumentin e pandëshkueshmërisë.

Basha më tej thotë se motoja e Edi Ramës “kush nuk vjedh, fle gjumë” ka marrë vlerë të plotë me drejtesinë në veprim.

Reagimi i plotë i Bashës:

As dremitjen më të vogël nuk ma prishin këto batutat e lodhura me gjumin, nga ai që vjedhjen e konsideron sukses, aq sa, mblidhet si vullnetarët e Enverit në këtë 20 shkurt, për të mbrojtur monumentin e pandëshkueshmërisë.

Moto e Edi Ramës “kush nuk vjedh, fle gjumë” ka marrë vlerë të plotë me drejtesinë në veprim.

Shqipëria meriton më shumë