TIRANE- Lulzim Basha kërkon që kavajasit të shkundin qeverinë. Në një aktivitet që kreu i Partisë Demokratike zhvilloi në qytetin e Kavajës theksoi se të gjithë qytetarët e këtij qyteti duhet të vijnë në Tiranë në datën 20 shkurt, ditë në të cilën PD do të organizojë edhe protestën e saj të dytë që kur kaloi në opozitë.

Pavarësisht se ky takim u bë në kuadër të zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike, Basha e përqendroi pothuajse të gjithë fjalën e tij në protestën e 20 shkurtit duke cilësuar si të domosdoshme shkundjen e qeverisë, pasi sipas tij, Kryeministri Rama dhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta nuk kanë mbajtur premtimet e tyre elektorale, pavarësisht se qeveria e re ka 5 muaj që është mandatuar në krye të vendit.

Sipas Bashës, shkundja e qeverisë është e domosdoshme për ti bërë të ditur krerëve të ekzekutivit se qytetarët shqiptarë nuk mashtrohen nga premtimet e tyre elektorale. “Është detyra jonë, e çdo qytetari në demokraci; të enjten, i madh e i vogël, i ri dhe e re në sheshin Skënderbej. Të vinë të gjithë. I ftojmë të gjithë të japim të gjithë së bashku mesazhin e kundërshtimit dhe paralajmërimit me praninë tonë në marrshimin e përkujtimit dhe protestës.

Të shkundim qeverinë, të bëjmë detyrën si qytetarë të civilizuar për ndalur të keqen, për të evituar humnerën, me fuqinë e bashkimit, me zërin e lirë, të njerëzve të lire dhe me Partinë Demokratike në krye. Suksese degës së Kavajës në procesin e anëtarësimeve që është nisur me një vrull të paparë. Suksese të rinjve që sapo i janë bashkangjitur degës më historike të Partisë Demokratike në Shqipëri. Më 20 shkurt në gjithë në sheshin Skënderbej”,- theksoi Basha.

Protesta
Pavarësisht se Partia Demokratike nuk ka dalë me një axhendë zyrtare për protestën e datës 20 shkurt në Tiranë, mësohet se grumbullimi i protestuesve do të bëhet në sheshin “Skënderbej”, në vendin ku më parë ka pas qendruar busti i ish-diktatorit Enver Hoxha. Pas kësaj, Lulzim Basha së bashku me kupolën drejtuese të PD-së do të marshojnë së bashku me militantët drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe do ta përqendrojnë protestën e tyre përballë kryeministrisë, vend i cili është edhe përballë Kryesisë së Kuvendit duke dëshmuar në këtë mënyrë se opozita proteston njëkohësisht kundër Kryeministrit Rama dhe Kreut të Kuvendit Ilir Meta.

Protesta do të zhvillohet ditën e enjte, çka do të thotë se me shumë mundësi PD nuk do të marrë pjesë në sencën plenare të Kuvendit. Ajo që mbetet shqetësues është fakti se ky tubim mund të degjenerojë në dhunë. Kreu i PD-së ka lëshuar shumë herë deklarata kontradiktore ku nga njëra anë thotë se protesta do të jetë paqësore ndërsa nga ana tjetër thekson çdo ditë se duhet shkundur qeveria. Kësisoj duket se vetë Lulzim Basha nuk e di se si do të shkojë fati i protestuesve duke lënë të kuptohet se me shumë gjasa situata do të shkojë drejt konfrontimeve fizike me trupën e policisë që do të jetë në bulevard.

 
Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)