Basha: KLSH zbuloi arsyen pse
qeveria nuk e do hetimin e CEZ

Basha: KLSH zbuloi arsyen pse<br />qeveria nuk e do hetimin e CEZ
TIRANË - Lideri i opozitës Lulzim Basha i ka dhënë një arsye bllokimit që sipas tij po i bën mazhoranca projektligjit të demokratëve për hetimin ndërkombëtar të CEZ.  Kryedemokrati e gjen arsyen tek 600 milionë eurot që sipas tij i janë vjedhur pasurisë publike nga marrëveshja e qeverisë Rama me CEZ-in. Kallëzimin që Kontrolli i Lartë i Shtetit i bëri ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri për këtë marrëveshje me një dëm prej 497 milionë eurosh, dhe jo 600 milionë saç deklaroi Basha, sipas tij është provë se qeveria “është kapur me presh në duar”.
 
“Qeveria po kapet me presh në duar nga KLSH, duke vjedhur 600 milionë euro pasuri publike, dhe përgjigje ka të akuzojë opozitat, dhe siç bëri dje përmes zëdhënësit të tij të drobitur nga akuzat, të akuzojë edhe këtë institucion por mos të japë përgjigje për pasurinë e shqiptarëve të zhbërë brenda natës me një marrëveshje jo transparente. Gjendja është jashtëzakonisht e rëndë. Ata që janë zgjedhur për të shërbyer e shohin veten si padronë të parave publike dhe janë sot nën akuzë si kusarët më të mëdhenj të pasurisë publike. Shuma është më e madhe se shuma që paguajnë në një vit të gjithë shqiptarët për energjinë elektrike. Kjo qeveria është e kalbëzuar drejt degradimit të përditshëm. Ne jemi të vendosur të bëjmë transparencën e plotë. Rama dhe Meta nuk pranuan të votojnë hetimin me procedurë të përshpejtuar për CEZ, sot nuk pranuan që ligji të diskutohet me procedurë normale. Arsyeja është se ata kanë 600 milionë euro për të fshehur. PD nuk do të heshtë asnjë ditë derisa e vërteta për këtë mega-aferë të zbardhet dhe përgjegjësit të përfundojnë aty ku e kanë vendin, para ligjit”, tha Basha.
 
Vetë ministri Gjiknuri ju përgjigj kallëzimit të KLSH-së duke thënë se është i ndikuar nga ish-kryeministri Berisha i cili të njëjtat akuza i ka paralajmëruar kohë më parë publikisht në Kuvend. I pyetur nga gazetarët nëse Basha ka dorë në raportin e KLSH-së, Basha u përgjigj: Aq sa keni dhe ju!
 
“Dokumentet flasin qartë afera është e zbardhur edhe nga mediat ndërkombëtare. Ti kërkosh KLSH-së të mos bëjë punën e saj do të thotë të jesh i inkriminuar deri në fyt. Çdo vonesë për hetimin e CEZ tregon korrupsionin e qeverisë Rama”, shtoi ai.
 
Lideri demokrat tha se deklaratat e Ramës se qeveria i ka kërkuar FBI-së hetimin për CEZ janë thjesht propagandë.
 
“Nuk ka asnjë opsion, ka demagogji nga Edi Rama, se opsionet nuk nxirren nga xhepat e tutave po parashtrohen zyrtarisht. Keni parë ndonjë dokument për këtë ofertë? Nuk ecet me pëllitje sipas qejfit. Pse vonohet hetimi i CEZ? Këtë përgjigje e morët dje nga kallëzimi i KLSH-së”, - tha Basha.
 
Lirderi i mazhorancës tha se hetimi për CEZ-in nuk mund t’i besohet prokurorisë shqiptare, pasi dy personat më të pushtetshëm në Shqiëpri kryetari i ekzekutivit dhe i kuvendit janë vetë të akuzuar për këtë aferë korruptive.
 
“Ne do ta bëjmë këtë përmes një investigimi institucional por fjalën e fundit do ta kenë qytetarët”, tha Basha.
 
Këto deklarata të gjata për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i bëri pas një takimi që pati në selinë blu me ambasadorin amerikan në vendin tonë Donald Lu.
 
“Komunikimi me partnerët tanë është intensiv sepse problemet dhe sfidat e Shqipërisë janë tepër të mëdha urgjente dhe kërkojnë një përkrahje të madhe për zgjidhjen e tyre, mbështetje e cila nuk mungon nga ambasadori Lu, qeveria e tij dhe partnerët ndërkombëtarë dhe e falënderoj edhe një herë. Temë e diskutimit ishin aktualitetet e dhimbshme në këtë rrafsh dhe përpjekja e PD për të mos u mjaftuar vetëm me denoncimin e tyre por edhe për t’i dhënë rrugën e zgjidhjes. Burgjet mbushen me njerëz që dergjen aty për kuponin tatimor apo për mospagesa minimale të faturave të energjisë elektrike. Me ambasadorin LU kemi një bashkëpunim të ngushtë dhe inkurajues për çdo aspekt duke përfshirë edhe kontributin tonë për reformën në drejtësi, e cila duhet të garantojë mos-kapjen e sistemin politikisht”, tha Basha.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Namir Lapardhaja: 'Bari do jetë edhe bukë, edhe gjellë'

Namir Lapardhaja: 'Bari do jetë edhe bukë, edhe gjellë'