TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi dje një takim me Ministrin për Çështjet Europiane të Republikës së Irlandës Paschal Donohoe, ku i shprehu atij të gjitha ankesat e opozitës lidhur me zhvillimet politike në vend. Në këtë takim Basha ishte i shoqëruar nga kryetarja e Komisionit të Integrimit Majlinda Bregu dhe me Ish-ministrin e Jashtëm, Albo Bumçi. Ajo që ra në sy ishte fakti se takimi nuk u bë në selinë e Partisë Demokratike, por në ambientet e një restoranit në Tiranë. Sipas fotografisë të publikuar në faqen zyrtare të Lulzim Bashës në “facebook”, duket qartë se takimi ndërmjet përfaqësuesve të opozitës shqiptare dhe ministrit irlandez është zhvilluar në një tryezë restoranti.

Sipas njoftimit të nisur nga Partia Demokratike, thuhet se kreu i PD-së i ka shprehur Ministrit të Irandës Donohoe shqetësimin e tij për klimën politike në vend dhe se mazhoranca nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me opozitë. “Basha e njohu Ministrin Donohoe me shqetësimin e përgjithshëm në vend për shkeljet flagrante të kushtetutës dhe ligjit nga ana e qeverisë shqiptare, klimën që ajo ka krijuar të mosrespektimit të shtetit të së drejtës, fushatës së sulmeve të paprecedentë ndaj institucioneve të pavarura dhe parimeve themelore të balancës e ndarjes së pushteteve, uzurpimin politik të organeve të ruajtjes së rendit, goditjen ndaj themelit të demokracisë përmes praktikës së blerjes së votës, shkelmimim e konsesusit demokratik, arrogancës me pushtetin dhe keqadministrimin ekonomiko-fiskal”, thuhet në njoftimin e PD.

Krahas kësaj, Basha ka theksuar se arsyeja e mos marrjes së statusit të vendit kandidat është dështimi i qeverisjes Rama-Meta. “Për më tepër, qeveria nuk po arrin ende ta lexoje e të nxjerrë mësime nga mesazhi i qartë i Bashkimit Europian se denigrimi i standarteve demokratikë nuk ka për tu pranuar asnjëherë nga partnerët e aleatët tanë europianë”, u shpreh Basha.
 

Shkrimi u publikua sot (11.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)