TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur sot Ministrin për Çështjet Europiane të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington, të cilit i ka shprehur shqetësimin se qeveria ka kundërshtuar të drejtën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.
 
“Në kundërshtim flagrant me parimet demokratike dhe traditën parlamentare në vend, mazhoranca Rama-Meta me dy vendime haptazi antikushtetuese ka shkelur të drejtën e opozitës dhe të zgjedhurve të sovranit për ngritjen e komisioneve investigative parlamentare”, është shprehur Basha.
 
Ndër të tjera Basha ka folur me ministrin Lidington edhe për “rritjen e krimit në vend”.  

"Zhbërjen e njësive profesioniste të luftës kundër krimit e korrupsionit dhe përdorimin e policisë në tejkalim të kompetencave ligjore çka ka sjellë një rritje drastike të krimit në vend, duke shtuar pasigurinë e qytetarëve për jetën, lirinë dhe pronën e tyre", ka thënë kreu i PD-së Basha. 

Ndërsa nga ana e tij ministri për Çështjet Europiane të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington ka siguruar Bashën se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur të vijojë bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Ai ka vlerësuar edhe rolin thelbësor të opozitës në përparimin e vendit. 

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)