Kryedemokrati Basha u shpreh se qytetarët shqiptarë do të paguajnë 50 euro për targë, ndërsa vlera e koncesionit sipas tij është 150 milionë euro.
Basha tha se i vetmi vend në botë që i ka dhënë targat me koncesion është Taxhikistani.
Duke qëndruar në akuzat ndaj qeverisë për koncesionet, Basha paralajmëroi se shumë shpejt shumë prej tyre do të përfundojnë në Prokurori. I pari duket se do të jetë ai për sistetmin elektronik të menaxhimit të TVSH-së.
"Koncesioni i TVSH i mbajtur i fshehtë. Qeveria delegon një nga funksionet e vete, mbledhjen e taksave në territorin kombëtar. ka ngjashmëri me "Crown Agents", me zotimin për të mbledhur 100 milionë euro më shumë dogana, dështim që u realizua katërfish. qeveria vendos ta përgjithësojë dështimin sikur të kishte qenë sukses. Me një koncesion të tillë Rama ka pranuar dështimin e tij në luftën kundër evazionit. Privatet e përzgjedhur nga Edi Rama nuk sjellin por marrin para nga arka e shtetit, ndaj bëhen në fshehtësi, këtu është korrupsioni gjigant me paratë e shqiptarëve. Filli përbashkues i koncesioneve të sotme është korrupsioni, Ne ju kemi shpallur luftë dhe kjo do të vijojë në Parlament, ne do ti bëjmë gjyqin shembullor kësaj grabitje. beteja jonë është politike dhe ligjore. Do të kërkojmë gjithë dokumentin për lotarinë e kuponit tatimor, dhe të koncesionit të TVSH për të çuar para drejtësisë grabitësit e miliona-miliona eurove pasuri të shqiptarëve. Qeverinë do ta dorëzojë, por jo me koncesion. Qytetarët do të kenë një qeveri të votës së lirë", - tha Basha.
Fjala e Bashes per koncesionet
Vitin e fundit babëzia qeveritare është përqendruar tek koncensionet siç i konceptojnë këta. Siç po i jep ky, ku po i jep ky dhe kujt po ia jep ky. Kjo është gjuetia e re dhe shprehja e re e hajdutërisë. Ne i kemi denoncuar në kohë reale disa nga këto koncensione që kanë befasuar dhe skandalizuar opinionin e do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Sot, nesër në sallën e parlamentit e kudo. Duke filluar me check-up-in e famshëm, 120 milionë euro kompanisë së Vilma Nushit pa përvojë në këtë fushë. E licencuar vetëm 2 ditë para hapjes së tenderit dhe ku mbrëmë i vënë nën presion, Rama deklaroi se mund ta ulte pak vlerën e rryshfetit. Sepse ishte kaq e madhe saqë edhe po u ul fondi është i mjaftueshëm. Abuzim i paskrupullt. Nuk ka pikë rëndësie se sa shqiptarë e marrin shërbimin. Paratë jepen dhe do të jepen sikur shërbimin e kanë marrë edhe 100 mijë që nuk e kanë marrë. Check-up-i është një simulim i madh, një gënjeshtër, një vjedhje e pastër që ka shkaktuar një indinjatë të thellë në mbarë komunitetin e punonjësve të shëndetësisë dhe në opinionin publik. Është tenderi i fituar me paracaktim nga një kompani pa eksperiencë pune në sektorin e shëndetësisë, me licencë laboratori të lëshuar vetëm dy ditë para aplikimit, me ofertë me të lartë se kompanitë e s’kualifikuara dhe ku specifikimet teknike për sistemin e informacionit çojnë me detyrim përcaktim me sistemin operator që operohet nga kompania e ministrit Beqa, Intech plus.
Koncesioni i sterilizimit 83 milionë euro për 10 vite. Thjeshtë dhe thellësisht e pajustifikuar sepse qeveria shqiptare me dy kredi, qytetarët shqiptarë kanë marrë dy kredi me bankën e Këshillit të Europës dhe kanë siguruar fonde të mjaftueshme për të ndërtuar qendrën e sterilizimit qendror dhe diagnostikimit funksionale si dhe për të vënë në përdorim repartin e centralizuar të sterilizimit që është ndërtuar dhe pajisur. Ndërkohë është trajnuar edhe personeli për përdorimin e këtij reparti. Por jo. Pasi investohen lekët të marra me kredi merret furra gati, punonjësit e trajnuar dhe i jepet Ilir Rrapajt me 8 mijë euro kapital i cili merr 83 milionë euro tender. Është pronar i një kompanie ku ka të punësuar një murator. Ti themi siç është. Në Peruxhia, kompania, sipas burimeve gazetareske investigative, “Birn” në këtë rast, ka një kapital prej 1500 eurosh. E mohoi lidhjen me të derisa i dolën fotografitë para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve me siguri do ti dalin edhe ato që kanë lidhje me operacionin e tij në Bolonja dhe me vilën në Toskana.
Koncesioni i landfillit të Elbasanit. Arben Ahmetaj. Specie e veçantë. Peshkaqeni i madh i bardhë. Mësuesi më i pasur i anglishtes në historinë e civilizimit botëror. Emblema e korrupsionit. Mësuesi me i pasur i anglishtes në historinë e civilizimit botëror. Emblema e korrupsionit në qeverisjen Nano. Transplantuar mjeshtërisht tek qeverisja Rama. 5 milionë euro nga taksat tona, nga taksat tuaja për t'ia dhene një kompanie të porsakrijuar, me vetëm 100,000 lekë kapital dhe pa asnjë eksperiencë të vërtetuar.
Vendimi i marrë në fshehtësi nga Këshilli i Ministrave në 17 dhjetor pa asnjë shpallje paraprake, pa publikim të njoftimit të kontratës. Në kundërshtim të hapur me nenin 22 te ligjit, edhe me nenin 9 te po këtij ligji, qe sanksionon parimin e transparencës, konkurrencës dhe mosdiskriminimit.
Koncesioni i Skavicës, i cili pas aferës CEZ është ndoshta projekti me korruptiv dhe pazari më i dyshimtë i Edi Ramës me pasuritë publike.
Mungesë e plotë e transparencës. E fshehën vendimin që shpallën se e kishin marrë me 23 dhjetor. i dhanë 8 pikë bonus kompanisë Suzer, në lista të zeza kombëtare dhe ndërkombëtare, praktikisht i kanë falur koncesionin. Kur ne e denoncuam se kishte shkuar atje nga kjo kompani, me shpenzimet e kësaj kompanie, për të negociuar drejtpërdrejtë me këtë kompani në mënyrë të paligjshme, e mohoi. Por faktikisht ia nxori petët lakrorit peshkaqeni i madh i bardhë. I shkau goja tek Arian Çani dhe pohoi se investimi madhor i kësaj qeverisje është Suzeri. Suzeri i cili i ka sjellë çarterin Arben Ahmetajt. i ke fshehur të dhënat e TIMS dhe nuk i ke vënë vulë pasaportës. Suzeri i ka gjetur miqtë edhe në policinë kufitare turke. Por të dhënat e aviacionit nuk i fsheh dot. Prandaj sot i kërkoj të bëjë publike se sa herë ka udhëtuar me çarter drejt Turqisë vitin e kaluar. Ku ka qëndruar dhe kush i ka paguar hotelin. Në pritje të përgjigjes sigurisht që një përgjigje e kemi edhe ne. Negociata të paligjshme për këtë projekt të rëndësisë strategjike kombëtare për energjitikën dhe një projekt të sigurisë kombëtare për vendin. Ndërkohë që ka një studim të plotë që qeveria bën sikur nuk e di dhe vetë Edi Rama mundohet me taktikat e tij banale të ngatërrojë studimin francez të Tiranës me studimin francez të Skavicës i cili ekziston dhe të cilit i kanë rënë ndesh kapitull për kapitull me kontratën korruptive e cila nuk duhet, nuk mund dhe nuk do të kthehet kurrë në një kontratë të vlefshme ligjore në Republikën e Shqipërisë. Le të vlejë ky si paralajmërim për Suzerin dhe Suzerët e tjerë. Dita do të jetë e shpejt kur do ta marrin me shkelma nga autoritet e zgjedhura me votë të lirë të vendit dhe të mos shpenzojë më asnjë cent për këtë aferë korruptive. Ne nuk do ta njohim. Skavica duhet dhe do të mbetet pasuri publike. Interesi i Shqipërisë dhe Shqiptarëve është që Skavicat të mbetet pronë e jona, të zhvillohet nga ne dhe jo ti falet në fshehtësi të plotë një kompanie pa asnjë eksperiencë në fushë.
Koncesionin e hekurudhës Fier –Vlorë iu dha me goditje të përqendruar djalit të deputetes Valentina Leskaj në shkelje flagrante të procedurave dhe të ligjit për konfliktin e interesit.
Në të njëjtën linjë u procedua me Koncesionin e Dializës.
E njëjta praktikë korruptive dhe antiligjore konstatohet edhe tek e ashtuquajtura “Llogari e Kuponit Tatimor, ku “fituesit”, në kundërshtim te hapur me legjislacionin tatimor, parashikohen të shpërblehen nga të ardhurat e mbledhura nga TVSH. A thua se TVSH-ja është pronë e Shkelqim Cani apo Edi Ramës.
Koncesioni për vjeljen e gjobave e cila u dha për 20 vite një kompanie private e quajtur “Shërbimi Përmbarimor ZIG”.
Koncesioni i Spitallës. Në gusht 2015 mediat raportuan se Arben Ahmetaj po bëhej gati të jepte me koncesion për 99 vjet zonën e Spitallës, vëllait të Kryeministrit, me një VKM Nr. 666 të datës 29.07.2015 të shpallur si zonë e “veçantë”. Në Janar 2016 skadoi afati dhe qeveria nuk ka shpallur fitues ende. Po e presim me shumë kuriozitet se si do të përfundojë kjo shpallje mediatike e përfitimit të zonës nga askush më pak se vëllai i kryeministrit.
Jemi njoftuar për një tjetër koncension. Targat, 150 milionë euro për 10 vjet. Targa të reja me chip. 50 euro për targë çdo shqiptari. Ky është një shembull kaq i avancuar i teknologjisë sa e ka vetëm një vend në botë; Taxhikistani. Borati Azamati dhe Edi Rama. 150 milionë euro koncension për targat.
Dua të ndalem pak në koncesionet e lajmëruar së fundi nga qeveria.
I pari është koncesioni për mbledhjen e TVSH-së, përgatitur si zakonisht në fshehtësi të plotë dhe që u mbaj sekret për ta bërë fakt të kryer derisa u rrodhi nëpër media.
Çfarë është në thelb ky koncesion i padëgjuar, i paimagjinueshëm për një vend si yni. Qeveria në rastin konkret, “delegon” një ndër funksionet e veta kryesore: mbledhjen e taksave në territorin kombëtar.
Ka ngjashmëri me koncesionin që iu dha po nga kjo qeveri dy vjet me parë kompanisë “Crown Agent’s”, në një rol pothuajse dublues me autoritetin doganor vendas, me zotimin për të mbledhur 100 milionë euro me shumë në dogana. Dështimi i bujshëm i këtij objektivi, që “u realizua” katër fish me shenjën e minusit përpara, që do të duhej të vuloste dështimin e eksperimenteve të këtij lloji.
Por jo. Qeveria vendos ta përgjithësojë dështimin e saj si të kishte qenë sukses. Del në skenë koncesioni i paparë për mbledhjen e TVSH-së. Sipas vlerësimeve tona, mbështetur në projektin e qeverisë, kompania fituese, që natyrisht është paracaktuar, do të përfitojë një shumë mbi 100 milionë euro që mund të shkojë deri 150 milion euro.
Pa shkuar me tej, gjithkush mund të pyesë: Nga vinë këto para? Përgjigja është: nga biznesi shqiptar! Pyetja që pason është: Po pse të mos shkojnë në buxhet, pse të mos bëhen rroga, pensione, shërbime, por u dashka ti jepen një kompania të huaj? Përgjigja është: për qëllime përfitimi të një grushti njerëzish, që janë të njëjtët, Edi Rama, banda dhe kupola e tij dhe oligarkia.
Përveç se abuziv dhe klientelist, koncesioni për mbledhjen e TVSH-së është në shkelje të hapur të Kushtetutës, të Ligjit të Procedurave Tatimore, të Ligjit të Partneritetit Publik- Privat. Fushat e zbatimit të këtyre ligjeve e përjashtojnë më mënyrë kategorike dhënien e një koncesioni të tillë, pavarësisht kamuflimit që përpiqet t’i bëje Edi Rama.
Me një koncesion të tillë Edi Rama pranon dështimin dhe kapitullimin e saj në luftën kundër evazionit, por nga ana tjetër konsumon një vepër penale, duke qenë se me ligj të ardhurat nga TVSH dhe taksat e ndryshme nuk mund të kenë asnjë destinacion tjetër përveç buxhetit të shtetit dhe shpenzimeve buxhetore.
Cila është veçoria e koncesioneve që ka dhënë e kërkon të japë qeveria Rama?
Veçoria, ajo gjë që le pa mend çdo njeri që ka sadopak njohuri për koncesionet, është se këto janë koncesione me paratë e buxhetit të shtetit, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, pra krejt e kundërta me kuptimin klasik të koncesioneve si një mënyrë për të thithur investimet e huaja në vepra të ndryshme, siç u bë me hidrocentralet. Në koncesionet e Check-up, sterilizimit, dializës, TVSH-së, kuponit tatimor, e tjerë, privatët e përzgjedhur nga Edi Rama nuk sjellin, por marrin para nga arka e shtetit.
Ndaj bëhen pa transparencë, ndaj konceptohen dhe realizohen në shkelje të ligjeve. Këtu është vjedhja, këtu është korrupsioni gjigand me paratë e shqiptarëve.
Filli përbashkues i koncesioneve të qeverise së sotme është korrupsioni. Ne u kemi shpallur luftë dhe kjo luftë do të kulmojë kësaj jave dhe në javët në parlament dhe në publik ku Partia Demokratike, ju si deputetë të saj, ne të gjithë se bashku do t’i bëjmë gjyqin shembullor, me fakte dhe argumente, kësaj grabitjeje, makutërie të padëgjuar.
Beteja jonë është e do të jetë politike dhe ligjore. Do të kërkojmë me urgjencë gjithë dokumentacionin që lidhet me koncesionin e TVSH-së dhe me Lotarinë e Kuponit Tatimor dhe koncesionet e tjera.
Do të ndërmarrim të gjithë hapët e nevojshëm, siç kemi bëre deri tani, ku kemi çuar mjaftueshmërisht dosje që prokuroria të nisë punën për të çuar para drejtësisë përgjegjësit e grabitjes “me ligj”, por në mënyrë të paligjshme, të miliona e miliona eurove pasuri të shqiptarëve.
Qytetarët i kemi në mbështetje, por duhet të jemi me ta, në komunikim të vazhdueshëm. Korrupsioni me koncesionet ka marrë erë e po qelbet. Shumica e njerëzve janë të skandalizuar. Sarkazma më e përhapur sot në publik është se me këtë logjikë i bie që Rama të japë me koncesion edhe qeverinë, të heqë edhe zgjedhjet sepse nuk i duhen më njeriu dhe vetë të dredhë zinxhirin si pashallarë me agallarët e tij duke iu gëzuar haraçit që merr.
Qeverinë do ta dorëzojë, kjo është e sigurt. Por jo me koncesion. Shqiptarët po kërkojnë dhe do të kenë një qeveri të re të votës së lirë.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)